Egjipti dhe Turqia bashkëpunojnë për të ndihmuar Sudanin në frenimin e paramilitarëve të mbështetur nga Emiratet

Pas rënies së qytetit El-Fasher në Darfur në duart e Forcave Paramilitare për Mbështetje të Shpejtë (RSF), Egjipti ka reaguar duke forcuar rolin e tij në luftën sudaneze, duke e parë këtë zhvillim si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e tij kombëtare.

Ndërsa RSF ushtron dhunë ndaj popullsisë lokale, Kairo po e rimendon kufirin e tij jugor si vijën e parë të mbrojtjes.
Rënia e kryeqytetit të Darfurit të Veriut shënon një pikë kthese për rajonin dhe për Egjiptin, i cili që prej fillimit të luftës në prill 2023 ka mbështetur Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF), aleatin e tij tradicional.

Pas humbjes së kontrollit mbi zonën kufitare trekëndore mes Sudanit, Egjiptit dhe Libisë në qershor dhe masakrave në El-Fasher, qeveria e presidentit Abdel Fattah el-Sisi ka filluar një ristrukturim të strategjisë së sigurisë, duke kombinuar koordinimin ushtarak me diplomacinë për të ndaluar përhapjen e konfliktit.

Sipas burimeve sudaneze për Middle East Eye (MEE), SAF ka kërkuar mbështetje të re nga Egjipti dhe Turqia pas rënies së El-Fasherit.

“Egjipti ka interes jetik në sigurimin e kufirit të tij jugor dhe është i shqetësuar për përqendrimin e trupave të RSF-së afër kufirit,” tha analisti sudanez Kholood Khair, drejtor i Confluence Advisory.

Egjipti ka forcuar pozicionet e tij ushtarake përgjatë kufijve me Sudanin dhe Libinë, duke bashkëpunuar ngushtë me ushtrinë sudaneze për të parandaluar infiltrime të mundshme.
Një burim i lartë i inteligjencës egjiptiane tha për MEE se po krijohen komanda të përbashkëta ushtarake për ndalimin e depërtimit të RSF-së nëpërmjet kufijve.

Shefi i shtabit të ushtrisë egjiptiane, gjenerali Ahmed Fathi, zhvilloi dy vizita urgjente brenda 24 orëve – në Arabinë Saudite dhe më pas në Port Sudan, ku ndodhet qeveria sudaneze e mbështetur nga ushtria. Në Arabinë Saudite, që mbështet SAF-in, ai bashkëdrejtoi Komitetin Egjiptiano-Saudian për Bashkëpunim Ushtarak, ndërsa në Sudan diskutoi planin operativ kufitar.

Sipas burimeve, vizita hapi rrugën për krijimin e një qendre të përbashkët operacionale në Kordofan e Veriut dhe për instalimin e sistemeve të reja radarike për paralajmërim të hershëm.

Kjo zonë, e pasur me burime nafte, është strategjike për kontrollin e qendrës së vendit. Në të njëjtën kohë me rënien e El-Fasherit, RSF pushtoi edhe qytetin Bara në Kordofan e Veriut, rreth katër orë larg kryeqytetit Khartoum. Sipas analistëve, RSF po planifikon një ofensivë kundër Omdurmanit, gjë që mund të provokojë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Egjiptit, pasi kryeqyteti është “vijë e kuqe” për Kairon.

Në terren, forcat ajrore egjiptiane kanë intensifikuar patrullimet, por pa hyrë në hapësirën ajrore të Sudanit, për të shmangur përplasjet me sistemet kundërajrore të RSF-së.

Në një zhvillim të rrallë, Egjipti dhe Turqia kanë nisur bashkëpunim të drejtpërdrejtë ushtarak mbi Sudanin, duke vënë në dukje një afrim strategjik të dy rivalëve rajonalë.

Një burim egjiptian për MEE konfirmoi se ky koordinim synon të ndihmojë SAF-in në frenimin e avancimeve të RSF-së dhe stabilizimin e Darfurit, përfshirë përgatitjet për një ofensivë të mundshme për rimarrjen e El-Fasherit.

Një burim turk me njohuri të drejtpërdrejtë mbi çështjen tha se Turqia planifikon të rrisë mbështetjen ushtarake për SAF-in, duke shtuar se:

“Masakrat në El-Fasher vetëm sa kanë forcuar vendosmërinë tonë.”

Turqia ka furnizuar ushtrinë sudaneze me dronë luftarakë, raketa ajër-tokë dhe sisteme komanduese, ndërsa operatorët turq të dronëve tashmë janë aktivë brenda Sudanit. Megjithatë, Ankaraja nuk mund t’i sigurojë SAF-it sisteme të mbrojtjes ajrore, për shkak të kapaciteteve të kufizuara prodhuese.

Burime të tjera nga Egjipti dhe Sudani konfirmuan për MEE se Kairo ka mbështetur fshehurazi ushtrinë sudaneze gjatë gjithë luftës, ndërsa tani është e gatshme ta bëjë rolin e saj më të dukshëm, pas dështimit të bisedimeve diplomatike të ndërmjetësuara në Washington.

Kategoritë
BotaLajme