



Meloni e priti Ramën në ceremoninë zyrtare në Palazzo Chigi. Teksa iu afrua, Rama u gjunjëzua para saj. Më pas, Meloni e përqafoi, ndërsa momenti u kap nga kamerat.
Ky gjest i Ramës ndaj Melonit është bërë tashmë traditë dhe është përsëritur për herë të tretë gjatë vitit të fundit.
Dihet se Rama dhe Meloni kanë marrëdhënie shumë të mira. Kryeministrja italiane më herët kishte komentuar këtë gjest duke thënë: “Ai e bën këtë që të duket më i vogël se unë”.
Kryeministri shqiptar ndodhet këto ditë në një vizitë zyrtare në Romë, ku do të zhvillojë takime me Melonin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Vizita është e fokusuar në partneritete strategjike dhe projekte rajonale. Këto bisedime janë pjesë e një vizite pune që përfshin edhe Spanjën, me synim forcimin e lidhjeve me partnerët evropianë.
Pritet që në takime të diskutohen bashkëpunimi rajonal, projektet e mundshme infrastrukturore dhe përpjekjet diplomatike në vijim ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.