Edhe Emiratet gjetën vijën e kuqe me Izraelin: E paralajmëruan të mos aneksojë Bregun Perëndimor

Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan të mërkurën Izraelin se çdo aneksim i Bregut Perëndimor do të përbënte një vijë të kuqe për Abu Dhabin, e cila do të minonte seriozisht frymën e Marrëveshjes së Abrahamit, përmes së cilës u normalizuan marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Që nga fillimi, këto marrëveshje i kemi parë si një mënyrë për të mundësuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për popullin palestinez dhe aspiratën e tyre legjitime për një shtet të pavarur. Ky ishte qëndrimi ynë në vitin 2020 dhe ky është qëndrimi ynë edhe sot,” tha për Reuters Lana Nusseibeh, ndihmëse e ministrit për çështje politike dhe e dërguar e ministrit të jashtëm të EBA-së.

Këto komente përbëjnë kritikën më të ashpër të Emirateve ndaj sjelljes së Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza në vitin 2023.

Në gusht, ministri izraelit i financave nga e djathta ekstreme, Bezalel Smotrich, njoftoi se do të fillonte punën për një plan të vonuar prej kohësh që do ta ndante Bregun Perëndimor dhe do ta shkëpuste nga Jerusalemi Lindor – një hap për të cilin zyra e tij tha se do të “varroste” idenë e shtetit palestinez.

Qeveria palestineze, aleatët e saj dhe shumë organizata e kanë dënuar projektin, duke e cilësuar të paligjshëm dhe duke theksuar se fragmentimi i territorit do të shkatërronte çdo plan paqeje për rajonin.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të pezullojë këto plane. Ekstremistëve, të çdo lloji, nuk duhet t’u lejohet të diktojnë drejtimin e rajonit. Paqja kërkon guxim, këmbëngulje dhe refuzimin për të lejuar që dhuna të përcaktojë zgjedhjet tona,” tha Nusseibeh.

Me Marrëveshjen e Abrahamit, të nënshkruar gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, Emiratet, Bahreini dhe Maroku normalizuan marrëdhëniet diplomatike me Izraelin pas ndërmjetësimit amerikan. Trump shpresonte të bindte edhe Arabinë Saudite – vendin me ndikim të madh rajonal dhe me disa nga vendet më të shenjta të Islamit – të normalizonte marrëdhëniet me Izraelin dhe të lehtësonte izolimin e tij në rajon.

Megjithatë, lufta e Izraelit në Gaza – ku u vranë dhjetëra mijëra palestinezë, enklava u shkatërrua dhe u krijua një katastrofë humanitare – ia zhvendosi vëmendjen këtyre përpjekjeve të Trumpit.

 

Kategoritë
BotaLajme