Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator do të zhvillojnë takimin e radhës në kuadër të dialogut.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Po me ftesë të Borrellit takimi i radhës i nivelit të lartë politik planifikohet të mbahet në mes këtij muaji, përkatësisht më 14 shtator. Takimi është ftuar nga përfaqësuesit të BE-së dhe takimi i radhës padyshim se do të mbahet në Bruksel ku Republika e Kosovës si edhe herëve të kaluara gjithmonë ka qenë e gatshme për të qenë pjesë e këtyre takimeve”, ka thënë Kryeziu për gazetarin Fidan Jupolli, shkruan Reporteri.net.
I pyetur se cilat janë temat, Kryeziu ka deklaruar se është ende herët të flitet publikisht për agjendën e takimit.
“Në ditët në vijim do të konfirmohen edhe do të ketë njoftime publike me kohë siç ndodhë zakonisht”, ka thënë Kryeziu.
Ai tutje ka shtuar se marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë dhe pakushtëzime.
Kujtojmë se DPT te Fidan Jupolli rikthehet me sezonin e ri, të martën, prej orës 22:30 në ATV.








