“E drejta për të vdekur” në diskutim: Franca gati të votojë ligjin për “fundin e jetës”

Parlamenti francez po përgatitet të votojë për një projektligj që synon të legalizojë vdekjen e asistuar, duke hapur rrugën për eutanazinë në kushte që aktivistët i cilësojnë si ndër më të rreptat në Evropë.

Si pjesë e një pakete të pritur për legjislacionin mbi “fundin e jetës”, The Guardian raporton se deputetët do të votojnë të martën edhe për një projektligj më pak të diskutueshëm që përcakton të drejtën për kujdes paliativ. Bëhet e ditur se të dyja votimet shënojnë fillimin e një procesi të gjatë parlamentar, ku ligjet duhet të kalojnë në senat dhe më pas të kthehen për një shqyrtim të dytë, që do të thotë se ato nuk pritet të hyjnë në fuqi përpara vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, qeveria e ka përshkruar ligjin për të drejtën për të vdekur si “një përgjigje etike ndaj nevojës për të mbështetur të sëmurët dhe ata që vuajnë”, duke këmbëngulur se nuk është “as një e drejtë e re, as një liri… por një ekuilibër mes respektit dhe autonomisë personale”.

Sipas raportimeve, ky projektligj do t’i lejonte një ekipi mjekësor të vendosë nëse një pacient ka të drejtë të “marrë qasje në një substancë vdekjeprurëse, kur ka shprehur dëshirën për ta bërë këtë”. Pas vendimit të mjekut, pacientët do të mund ta marrin vetë këtë substancë ose t’u administrohet nga një infermier apo mjek “nëse nuk janë fizikisht në gjendje ta bëjnë vetë”.

Megjithatë, dihet se për një hap të tillë, pacientët duhet të plotësojnë disa kushte: të jenë mbi 18 vjeç, të kenë shtetësi ose rezidencë franceze dhe të vuajnë nga një sëmundje “e rëndë dhe e pashërueshme, që rrezikon jetën, është në stad të avancuar ose terminal” dhe që është “e pakthyeshme”.

Poashtu, sëmundja duhet të shkaktojë “vuajtje të vazhdueshme dhe të padurueshme fizike ose psikologjike” që nuk mund të lehtësohen me trajtim mjekësor, dhe pacienti duhet të jetë në gjendje të “shprehë në mënyrë të lirë dhe të vetëdijshme” dëshirën për të përfunduar jetën e tij.

Ky projektligj – i njohur në Francë si ligji për “fundin e jetës” ose “ndihma për të vdekur” dhe jo si “vetëvrasje e asistuar” apo “eutanazi” – pritet të mbështetet nga deputetët centristë të Macron dhe aleatët e tyre, si edhe nga e majta, ndërsa pritet që deputetët e djathtë dhe të ekstremit të djathtë të votojnë kundër.

Eutanazia mbetet një çështje shumë e ndjeshme në Francë, një vend me traditë të thellë katolike, dhe projektligji është gjithashtu i kundërshtuar nga shumë punonjës të shëndetësisë.

 

Kategoritë
BotaLajme