E bllokuar midis urisë dhe sëmundjes, vogëlushja nga Gaza lufton për mbijetesë

Nëna e dyvjeçares Yaqeen Abu Telkh bën thirrje për transferim urgjent jashtë vendit, ndërsa bllokada izraelite e ka lënë fëmijën pa ilaçe dhe ushqim

Në një shtrat spitali në jug të Gazës, dyvjeçarja Yaqeen Abu Telkh qëndron e mbështjellë me garzë aty ku zakonisht duhet të jenë lodrat, me trupin e saj të vogël të mbushur me shenja nga një çrregullim gjenetik i rrallë që e bën lëkurën e saj të çahet edhe nga prekja më e lehtë.

Yaqeen ka lindur me “epidermolysis bullosa” (EB), një sëmundje aq e egër sa edhe fërkimi i vogël mund të çajë lëkurën e saj. Sëmundja e saj është bërë kërcënuese për jetën për shkak të bllokadës dhe luftës së Izraelit mbi Gazën, që kanë privuar spitalet nga ilaçet thelbësore, fashat dhe mbështetja ushqimore.

Në spitalin “Nasser” në Khan Younis në jug të Gazës, nëna e saj, Israa Abu Telkh, përpiqet ta qetësojë.

“Ajo qan çdo ditë nga plagët që nuk mund t’i shëroj”, tha ajo për Anadolu. “Para luftës, ajo mund të jetonte me sëmundjen. Por, pasi u detyruam të shkonim në çadër dhe ilaçet u zhdukën, gjithçka u përkeqësua”, shtoi ajo.

Mjekët thonë se tani Yaqeen peshon vetëm 7 kilogramë, shumë më pak se mesatarja e shëndetshme prej 11 kilogramësh për moshën e saj, pas muajsh kequshqyerjeje të rëndë dhe anemie.

EB është kaq e rëndë sa edhe gëlltitja e ushqimit mund të shkaktojë flluska brenda gojës ose stomakut. Pa trajtim, fëmijët si Yaqeen rrezikohen nga infeksione dhe dëmtime organesh që mund të jenë vdekjeprurëse.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 5.200 fëmijë kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor jashtë vendit, por mbyllja totale e të gjitha pikave kufitare nga Izraeli që nga marsi ka bllokuar këtë mundësi.

Për nënën e Yaqeenit, statistikat humbasin përballë vuajtjes së të bijës. “Lutem çdo ditë që ajo të mund të largohet nga Gaza për trajtim”, tha ajo. “Pa këtë, frikësohem se nuk do të mbijetojë”, shprehet e shqetësuar.

Në gusht, Sistemi i Integruar i Klasifikimit të Sigurisë Ushqimore shpalli gjendje urie në veriun e Gazës, duke paralajmëruar se ajo mund të përhapet në jug brenda javësh. Kjo gjetje, e mbështetur nga 21 organizata ndërkombëtare, përfshirë agjencitë e OKB-së për ushqimin dhe shëndetësinë, u hodh poshtë nga Izraeli pavarësisht dëshmive për urinë e përhapur.

Ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 65 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera e kanë bërë enklavën të pabanueshme, duke shkaktuar uri dhe përhapje të sëmundjeve.

Të martën, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i OKB-së për Territorin e Pushtuar Palestinez konfirmoi se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme