Mjeti ajror pa pilot (dron) turk Bayraktar TB3 ka kryer fluturim demonstrues në kuadër të TEKNOFEST-it.
I organizuar nën udhëheqjen e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë dhe Fondacionit të Ekipit të Teknologjisë së Türkiyes (T3) dhe me Agjencinë Anadolu (AA) si Partner Global i Komunikimit, festivali më i madh në botë i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë, TEKNOFEST, vazhdon të mirëpresë vizitorë në aeroportin “Atatürk” të Stambollit.
Ashtu si në dy ditët e para, edhe në ditën e tretë që nga orët e hershme të mëngjesit u vu re interesim i madh nga pjesëmarrësit.
Deri më sot, TEKNOFEST-i ka mirëpritur afërsisht 11 milionë vizitorë dhe ofron aktivitete për çdo moshë, nga fëmijët e vegjël e të rinjtë, deri te familjet dhe pasionantët e teknologjisë.
Festivali përfshin shfaqje ajrore, koncerte, shfaqje në skenë, punëtori edukative, hapësira për përvoja me simulim, planetarium, shfaqje shkencore, Tunelin e Kohës TEKNOFEST, ekspozitë të mjeteve kombëtare detare, tokësore dhe ajrore, si dhe mundësi për studentët që të provojnë për herë të parë fluturimin.
Në festival marrin pjesë gjithashtu helikopterë ATAK, avioni Hürkuş dhe dronët ANKA, Bayraktar TB2, Bayraktar TB3 dhe Bayraktar AKINCI.
Pjesëmarrja në “TEKNOFEST Istanbul” është falas ndërsa vizitorët duhet të regjistrohen onlajn për hyrje. Orari i hyrjes dhe daljes në zonën e festivalit është nga ora 09:00 deri në 19:00 me kohën lokale.