Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentes Vjosa Osmani, duke i cilësuar ato si një shkelje flagrante të lirisë së mediave dhe të shprehjes.
“Është shkelje flagrante e lirisë së mediave, e lirisë së shprehjes. Është cenim, është rrezikim i sigurisë jo vetëm fizike por edhe juridike i secilit qytetarë të Kosovës. Deklarimi i mbrëmshme dhe vazhdimi sot që ka raporte të Inteligjencës që përfshinë gazetarë në veprime të jashtëligjshme është një deklaratë që vjen nga presidentja, është skandaloze, është shantazh publik që iu bëhet gazetarëve. Është e pabesueshme, që vjen nga dikush me post kaq të lart, si presidentja”, ka thënë Rexha.
Ai theksoi se për një presidente, të lërë të nënkuptohet se mund të përdorë dosje kundër kritikëve të saj, përbën një porosi të rrezikshme jo vetëm për median, por për gjithë shoqërinë.
“Ajo çfarë la për nënkuptuar se mund të përdor dosje kundër secilit, që e kritikon ose që as nuk i pëlqen. Kjo nuk ishte porosi vetëm për gazetarët por 1.6 milionë banorët e Kosovës. Sepse presidentja Osmani ka qasje të palimituar supozojmë në të gjitha raportet e AKI-së”, ka shtuar Rexha.