Provinca Autonome e Trentos në veri të Italisë do të japë një grant prej 100 mijë eurosh për ata që jetojnë në Itali apo për italianët që jetojnë jashtë vendit, me qëllim rinovimin e shtëpive të braktisura. Por ka vetëm një kusht.
Vetëm një kusht
Sipas CNN International, granti përbëhet nga 80 mijë euro për rinovimin dhe 20 mijë euro për blerjen e pronës. Por kushdo që nënshkruan marrëveshjen, duhet të jetojë në atë vend për të paktën 10 vjet ose ta japë me qira për këtë periudhë – përndryshe mund të detyrohet të kthejë shumën e marrë.
Në prag të zhdukjes
Të 33 fshatrat e përfshirë në këtë projekt, i cili pritet të miratohet përfundimisht në javët në vijim, janë në rrezik zhdukjeje për shkak se ka më shumë shtëpi të braktisura se sa banorë që jetojnë aty.
Ky është një nga hilet e fundit “italiane” për të përballuar rënien e popullsisë në fshatra dhe vendbanime me më pak se 5 mijë banorë, që janë identifikuar si në vështirësi ekonomike e sociale, dhe për të cilët ligji buxhetor kombëtar për vitin 2024 ka krijuar një fond prej 30 milionë eurosh.
Sipas CNN, kjo nënkupton qytete me popullsi kryesisht të moshuar, ku mbyllen shkollat dhe mungojnë shërbime bazë si dyqanet ushqimore apo pikat e karburantit.