Dhjetë vjet nga tragjedia që tronditi Gjermaninë: Piloti rrëzoi qëllimisht avionin në Alpe

Të hënën, në Gjermani u përkujtua dhjetëvjetori i fluturimit tragjik 9525 të kompanisë ajrore Germanwings, kur kopiloti Andreas Lubitz qëllimisht rrëzoi avionin në Alpet franceze.

Në bord ishin 150 persona, dhe siç u zbulua më vonë nga hetimet, Lubitz kishte probleme serioze mendore dhe e shkaktoi me qëllim këtë aksident fatal.

Pas aksidentit u bë e ditur se Lubitz kishte pritur që piloti kryesor, Patrick Sondenheimer, të largohej nga kabina, e më pas e kishte mbyllur derën dhe kishte marrë kontrollin e avionit.

Pavarësisht përpjekjeve të Sondenheimerit dhe pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit për të hyrë sërish në kabinë, Lubitz për fat të keq arriti ta drejtojë avionin drejt Alpëve, ku u rrëzua pranë fshatit Le Vernet.

Asnjëri nga personat në avion nuk mbijetoi. Mes viktimave ishin 16 nxënës të shkollës së mesme dhe dy mësues nga gjimnazi Joseph König në qytetin Haltern am See, si dhe disa gazetarë që po ktheheshin nga Barcelona, ku kishin ndjekur njërin nga derbit më të mëdhenj të botës, Barcelonë – Real Madrid.

Pas kësaj tragjedie u zbulua se Lubitz ishte informuar se nuk ishte i aftë të ushtronte profesionin e pilotit për shkak të gjendjes së tij mendore, gjë të cilën ai e kishte fshehur nga kompania Lufthansa, pronarja e linjës ajrore me kosto të ulët Germanwings, tashmë e mbyllur.

Në vitet pas aksidentit, Lufthansa i ka kompensuar familjet e pasagjerëve dhe ekuipazhit të vrarë me nga 75,000 euro, ndërsa të afërmit e ngushtë të viktimave kanë marrë nga 10,000 euro.

Përveç kësaj, janë vendosur rregulla të reja sipas të cilave duhet të jenë të pranishme të paktën dy persona të autorizuar në kabinën e pilotit në çdo moment, megjithatë vetëm dy vjet pas tragjedisë, shumë kompani ajrore gjermane – përfshirë edhe Germanwings – hoqën dorë nga zbatimi i këtij rregulli.

Kategoritë
BotaLajme