Bill Gates dhe drejtuesit e fondacionit të tij bamirës u takuan 30 herë me autorin e dënuar të krimeve seksuale Jeffrey Epstein, pavarësisht se punonjësit kishin shprehur shqetësime serioze për dëmtimin e reputacionit.
Këto informacione u zbuluan nga një analizë e pavarur e porositur nga vetë Fondacioni Gates.
Analiza, e kryer nga firma e njohur ligjore WilmerHale, tregoi se në periudhën nga viti 2011 deri më 2014 janë zhvilluar gjithsej 30 takime. Këto përfshinin disa vizita në rezidencën luksoze të Epstein në Manhattan, si dhe të paktën një takim në vetë selinë e Fondacionit Gates.
Hetuesit konstatuan se bisedimet ishin përqendruar kryesisht në krijimin e një fondi për shëndetin publik, i cili në fund nuk u realizua kurrë, si dhe në një grant për Institutin Ndërkombëtar për Paqe, i drejtuar nga një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Epstein.
Megjithatë, analiza nuk gjeti prova se Fondacioni i kishte transferuar ndonjëherë para Epstein ose se kishte kryer ndonjë veprim të paligjshëm.
Edhe pse Bill Gates nuk është akuzuar për ndonjë lidhje me krimet e Epstein dhe disa herë ka mohuar se kishte dijeni për abuzimin e vajzave, raporti zbulon se themeluesi i Microsoft ishte i vetëdijshëm gjatë kontakteve të tyre se Epstein kishte qenë më parë i dënuar për vepra seksuale.
Gates muajin e kaluar pranoi para një komisioni të Kongresit se kishte bërë një “gabim serioz në gjykim” kur vendosi të hynte në kontakt me Epstein.
“Puna që bëjmë varet nga integriteti dhe nga fitimi e ruajtja e besimit të partnerëve tanë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Fondacionit, Mark Suzman, duke njoftuar se bordi kishte miratuar masa më të rrepta për verifikimin e partnerëve dhe menaxhimin e rreziqeve të reputacionit.
Fondacioni ka publikuar vetëm një përmbledhje tre-faqëshe të raportit dhe deri tani nuk ka bërë të ditur nëse do ta publikojë versionin e plotë të dokumentit.
Emri i Gates shfaqet gjithashtu në dokumentacionin e gjerë të publikuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në kuadër të hetimit për Epstein. Dosjet përmbajnë emrat e shumë figurave me ndikim nga bota e teknologjisë, financave dhe politikës.
Epstein u akuzua në korrik të vitit 2019 për trafikim të të miturave me qëllim shfrytëzimi seksual, ndërsa pak kohë më pas vdiq në qelinë e burgut në New York, teksa priste fillimin e gjykimit.















