Detaje nga sulmi në Suedi: Ish-nxënësi me helmetë dhe shpatë hyri në shkollë, një person u vra

Një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një 18-vjeçar, i armatosur me shpatë dhe me helmetë në kokë, sulmoi njerëz në një shkollë të mesme në Suedi. Policia e lokalizoi shpejt sulmuesin, e plagosi me armë zjarri dhe e arrestoi.

Ngjarja e rëndë ndodhi në shkollën e mesme Brinell në Fagersta, në veriperëndim të Stokholmit. Policia mori njoftimin për sulmin në orën 14:06, pas së cilës në vendngjarje u dërguan forca të shumta policore dhe helikopterë.

Sipas televizionit publik suedez SVT, sulmuesi është një 18-vjeçar, ish-nxënës i kësaj shkolle, i cili më herët kishte pasur dënime për sulme. Gazeta suedeze Aftonbladet raportoi se policia e qëlloi në këmbë gjatë arrestimit.

Trupi i pajetë i një personi u gjet gjatë kontrollit dhe sigurimit të ambienteve të shkollës nga policia.

Deri tani dihet se dy persona janë plagosur rëndë. Bëhet fjalë për djem të moshës 12 deri në 17 vjeç. Njëri prej tyre iu nënshtrua një operacioni urgjent, ndërsa të dy aktualisht ndodhen në gjendje stabile.

Të paktën edhe një person tjetër është dërguar në spital, ndërsa shkalla e plagëve të tij ende nuk është përcaktuar.

Zëdhënësi i policisë, Pelle Vamstad, tha se gjatë hetimeve do të analizohen në detaje edhe të gjitha pamjet e disponueshme nga kamerat e sigurisë.

Shkollën e mesme Brinell e ndjekin rreth 450 nxënës të moshës 16 deri në 20 vjeç.

Kategoritë
BotaLajme