Presidenti Trump dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff paraqitën sonte në një takim me liderë arabë dhe myslimanë një plan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, sipas tre burimeve që morën pjesë në takim ose janë të njohura me përmbajtjen, shkruan kanali izraelit 12. Kjo është hera e parë që presidenti Trump paraqet një plan amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza që nga marrja e detyrës në janar.
Sipas një burimi, Trump u tha liderëve arabë dhe myslimanë se lufta duhet të përfundojë urgjentisht, duke theksuar se ai e paraqet këtë plan sepse çdo ditë që lufta vazhdon, Izraeli bëhet gjithnjë e më i izoluar në botë.
Parimet e planit amerikan përfshijnë: lirimin e të gjithë pengjeve, armëpushim të përhershëm, tërheqje graduale të Izraelit nga Rripi i Gazës, një plan për “ditën pas” që përfshin një mekanizëm qeverisës në Gaza pa Hamasin, forca sigurie ku do të përfshihen edhe ushtarë nga vendet arabe dhe myslimane, financim arab për një qeveri të re në Gaza dhe rindërtimin e Rripit, me përfshirjen e Autoritetit Palestinez.
Një burim që mori pjesë në takim tha se shumë nga këto parime ishin pjesë e planit “ditën pas” ku kishin punuar dhëndri i Trumpit Jared Kushner dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Liderët arabë i paraqitën Trumpit disa kushte për të mbështetur planin e tij: Izraeli të mos aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor ose Gazës, të mos okupojë Gaza, të mos ndërtojë vendbanime në Gaza, të ndalojë shkeljet e status quo-së në xhaminë Al-Aksa, dhe ndihma humanitare për Gazën të rritet menjëherë.
Dy burime që morën pjesë në takim thanë se Trump e bëri të qartë se nuk do të lejojë Izraelin të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor.
Në fund të takimit, liderët arabë dhe myslimanë shprehën mbështetje për parimet amerikane dhe premtuan të marrin pjesë në programin për “ditën pas”. Një zyrtar arab tha: “Të gjithë u larguan plot shpresë. Për herë të parë ndjemë se ka një plan serioz në tryezë. Presidenti Trump dëshiron që lufta të përfundojë, që ky kapitull i tmerrshëm të mbetet pas dhe të ecim drejt gjërave më të mira për rajonin”.
Sot u mbajt një takim mes sekretarit amerikan të shtetit Rubio, të dërguarit Witkoff dhe ministrave të jashtëm të Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Jordanisë për t’i kthyer parimet e paraqitura nga Trump në një plan më të detajuar dhe praktik.
Zyrtarët izraelitë vunë re se kryeministri Netanyahu është në përgjithësi i njohur me këto parime dhe se ministri Ron Dermer ka biseduar së fundi për këtë çështje me Kushnerin dhe Blairin.
Presidenti Trump u tha liderëve arabë se hapi i ardhshëm do të jetë diskutimi i planit me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë të hënën për të siguruar mbështetjen e tij, sipas një burimi të njohur me takimin.