Në referendumin e mbajtur në Lubjanë për rregulloren e parkimit, e cila parashikonte riorganizimin e parkimit në lagjet e kryeqytetit slloven përmes vendosjes së parkimit me pagesë dhe lejeve për banorët, morën pjesë pak më pak se 19 për qind e qytetarëve, njoftoi Komisioni Zgjedhor Komunal.
Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, referendumi u shpall i pasuksesshëm. Që referendumi të ishte i vlefshëm, nevojiteshin së paku 45.500 vota kundër.
Sipas të dhënave të fundit, u regjistruan 42.916 fletëvotime të vlefshme. Nga qytetarët që votuan, 93,96 për qind, përkatësisht 40.324 persona, votuan kundër rregullores së parkimit, ndërsa 6,04 për qind, apo 2.592 persona, votuan pro saj.
“Faleminderit të gjithëve që ndanë kohën dhe dolën në referendum. Faleminderit vullnetarëve, donatorëve, mbështetësve dhe të gjithë atyre që na ndihmuan që ne, banorët e saj, të mund të vendosim sot për Lubjanën. Sipas rezultateve jozyrtare të publikuara deri tani, 40.324 banorë të Lubjanës i treguan kryetarit të qytetit kartonin e verdhë, duke votuar kundër, dhe dërguan një mesazh të qartë se nuk pajtohen me mënyrën se si po drejtohet qyteti ynë”, shkroi ndër të tjera përfaqësuesi i Nismës Qytetare për Lubjanën – CILJ, Klemen Fajs, duke komentuar rezultatin e referendumit dhe duke prezantuar hapat e mëtejshëm të nismës.
Lidhur me rezultatet reagoi edhe partia E Majta.
“Me pothuajse 94 për qind të votave kundër rregullores, banorët treguan fuqishëm se duan të marrin pjesë në vendimmarrjen për çështjet që ndikojnë ndjeshëm në jetën e tyre të përditshme. Duke e refuzuar politikën e trafikut, ata sot votuan mosbesim ndaj Zoran Jankovićit”, theksoi Urška Honzak, këshilltare e qytetit nga E Majta dhe koordinatore e degës lokale të partisë në Lubjanë.
Shumë qytetarë e perceptuan referendumin për parkimin si një votë mosbesimi ndaj kryetarit të Lubjanës, Zoran Janković.
Referendumi për rregulloren e parkimit ishte referendumi i tretë komunal që nga viti 2000 dhe i pari që u iniciua përmes një fushate të gjerë për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve.
Nisma Qytetare për Lubjanën, me ndihmën e mbështetësve të saj, arriti të mbledhë pak më shumë se 14.000 nënshkrime.
















