Dështimi i 29-të: Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar, partitë akuzojnë njëra-tjetrën

Për të 29-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke thelluar më tej krizën politike dhe institucionale në vend. Pas këtij dështimi, përfaqësuesit politikë kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella mbi përgjegjësinë për bllokimin.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Vetëvendosjen për qëllim të drejtpërdrejtë të mbajtjes së vendit në bllokadë. “Kjo më nuk është politikë, është tendencë për të mbajtur në bllokadë dhe peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ai, duke e cilësuar si mendësi destruktive të VV-së.

Edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, e cilësoi situatën alarmante, duke paralajmëruar zgjedhje të reja nëse bllokada vazhdon. “Përsëritja e zgjedhjeve është gjëja e fundit që i duhet Kosovës. Vendit i duhet një Qeveri e Unitetit”, tha ai.

Kandidatja e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, mohoi përgjegjësinë e njëanshme të subjektit të saj. Ajo theksoi se VV-ja ka të drejtë kushtetuese të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi dhe se askush nuk mund të ndërhyjë në këtë të drejtë.

Nga radhët e AAK-së, deputetja Time Kadrijaj kritikoi qeverinë për pamundësinë për të siguruar shumicën e thjeshtë. “Detyrë e kësaj qeverie është të sigurojë 61 vota dhe të votohet kryeparlamentari”, tha ajo.

Seanca e ardhshme është caktuar për të mërkurën, më 11 qershor, në orën 11:00, me shpresë për ta zhbllokuar këtë ngërç të zgjatur./Gazetaere

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi