Burgim i përjetshëm për vrasësin serial në Maqedoninë e Veriut: Vriste gra të moshuara që jetonin vetëm, prokurori përmendi nekrofilinë si motiv

Burgim i përjetshëm për vrasësin serial në Maqedoninë e Veriut: Vriste gra të moshuara që jetonin vetëm, prokurori përmendi nekrofilinë si motiv

Gjykata Themelore në Kumanovë e dënoi sot me burgim të përjetshëm 25-vjeçarin Trajçe Bojkovski nga Nagoriçani i Vjetër për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje të grave, transmeton Agjencia Informative e Maqedonisë (MIA). Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ende nuk është i formës së prerë.

Bojkovski u shpall fajtor për vrasjet e Stançe Karovskës, Janka Antevskës, Marija Marinkovskës dhe Mira Stankovskës. Siç u vërtetua gjatë procesit gjyqësor, krimet i kreu nga janari i vitit 2025 deri në shkurt të vitit 2026. Viktimat ishin kryesisht gra të moshuara dhe të pafuqishme që jetonin vetëm.

Vrasjen e parë e kreu natën ndërmjet 5 dhe 6 janarit 2025 në fshatin Kleçovcë, ndërsa të dytën ndërmjet 5 dhe 7 qershorit të po atij viti në fshatin Dragomancë. Ai u dënua edhe për vrasjen e një gruaje në Nagoriçanin e Vjetër në janar 2026 dhe për vrasjen e një gruaje të moshuar në fshatin Çellopek në shkurt të po atij viti.

Të dyja tentativat për vrasje ndodhën në Çellopek. Në rastin e parë, më 22 korrik 2025, gruaja arriti të kërkonte ndihmë dhe ta pengonte sulmuesin, i cili më pas u largua. Në rastin e dytë, më 9 shkurt 2026, sipas prokurorisë, Bojkovski hoqi dorë nga qëllimi i tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Bojkovski, me origjinë nga fshati Malotino, u arrestua më 13 shkurt të këtij viti si i dyshuar për vrasjen e një gruaje 78-vjeçare nga Çellopeku. Pas arrestimit, prokuroria e zgjeroi hetimin edhe në rastet e mëparshme. Për disa prej viktimave, vdekja e dhunshme u konfirmua vetëm pas zhvarrosjes. Gjatë gjykimit, ai pranoi tri nga katër vrasjet dhe të dyja tentativat për vrasje, ndërsa për njërën vrasje mohoi përgjegjësinë.

Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë, Ljubomir Lape, kërkoi burgim të përjetshëm gjatë fjalës përfundimtare më 6 tetor. Ai tha se të katër gratë ishin vrarë në të njëjtën mënyrë, përmes mbytjes dhe ushtrimit të presionit mbi kraharor. Gjurmë të ADN-së së të akuzuarit u gjetën te dy nga gratë e vrara dhe te njëra nga të mbijetuarat.

Sipas aktakuzës, veprat u kryen për motive të ulëta, me qëllim kënaqjen e instinktit seksual mbi trupat e pajetë.

“Në rastin konkret, bëhet fjalë për nekrofili”, tha Lape.

Prokuroria iu referua edhe ekspertizës psikiatrike. Sipas saj, i akuzuari është penalisht i përgjegjshëm dhe shfaq aftësi për t’i fshehur veprimet e tij. Tek ai mungojnë empatia, pendimi dhe turpi, ndërsa ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprave. Prokurori vlerësoi se ekzistojnë pengesa serioze për risocializimin e të akuzuarit.

Avokati mbrojtës i caktuar sipas detyrës zyrtare, Toni Cvetkovski, kërkoi që gjykata të merrte parasysh pranimin e fajësisë, faktin se i akuzuari nuk ishte dënuar më parë dhe moshën e tij të re.

Kategoritë
LajmeRajoni