Buldozerët izraelitë shkulën pemët e ullirit në fshatrat palestineze para vjeljes: U shkatërruan 300 dynymë plantacione

Buldozerët izraelitë të mërkurën shkatërruan dhjetëra pemë ulliri në fshatrat palestineze Ajjah dhe Zububa pranë Jeninit, vetëm disa javë para fillimit të sezonit të sivjetshëm të vjeljes në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Aksioni u zhvillua në tokë bujqësore pranë barrierës ndarëse, si pjesë e asaj që banorët lokalë e përshkruajnë si një fushatë të vazhdueshme të shkatërrimit të ullishtave në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.

Zaki Jaradat, kryetar i këshillit lokal të fshatit Zububa, tha se forcat izraelite që nga fillimi i vitit kanë shkulur më shumë se 2.950 pemë ulliri në mbi 300 dynymë tokë të punueshme.

Mes familjeve të prekura është edhe ajo e Fuad Yahya Maqalda, familja e të cilit prej brezash kultivon ullinj në atë tokë. Nga çatia e shtëpisë së tij ai pa buldozerët duke kaluar përmes ullishtës familjare, ndërsa nuk mundi t’i afrohej zonës.

“Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Nuk mund t’i kuptojmë qëllimet pas këtij shkuljeje”, tha ai për Middle East Eye.

Maqalda shtoi se dëmi është veçanërisht i rëndë pasi sezoni i vjeljes është shumë pranë.

“Ndërsa po afrohet sezoni i vjeljes së ullinjve, u goditën tri parcela toke që i përkasin familjes sonë prej brezash. Shkulën 111 pemë nga një parcelë dhe edhe 215 nga një tjetër. Secila prej atyre pemëve u hoq”, tha ai.

Tareq Ighbariya, zëdhënës i Komisionit Palestinez Kundër Murit dhe Vendbanimeve në Jenin, tha se dëmet në terren shpesh tejkalojnë zonat e përcaktuara në urdhrat ushtarakë izraelitë, ndërsa në disa raste buldozerët hyjnë në tokat bujqësore edhe pa ndonjë urdhër paraprak.

Vjelja e ullinjve është një nga sezonet më të rëndësishme bujqësore për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi siguron të ardhura jetike për mijëra familje.

Përveç rëndësisë ekonomike, ullishtat kanë edhe një vlerë të madhe kulturore dhe familjare. Fermerët palestinezë muajt e fundit, përveç dhunës së kolonëve, vandalizmit, vjedhjes së prodhimeve dhe kufizimit të qasjes në tokat e tyre, druhen se mund të mbeten pa tokat e tyre ose të sulmohen gjatë sezonit të vjeljes.

Kategoritë
BotaLajme