Britanikët u këshillojnë myslimanëve të përdorin më pak ujë për abdes

Rregullatori britanik i shërbimeve të ujit, Ofwat, i ka këshilluar myslimanët në Mbretërinë e Bashkuar që të përdorin më pak ujë gjatë marrjes së abdesit, në kuadër të një programi për kursimin e ujit gjatë periudhës së thatësirës.

Rekomandimi është pjesë e programit për efikasitetin e ujit në komunitetet fetare dhe të larmishme, i financuar nga Ofwat, rregullatori shtetëror i shërbimeve të ujit. Në një nga projektet më të fundit bashkëpunuan South Staffordshire Water, Fakulteti i Teologjisë i Universitetit të Cambridge, Cambridge Central Mosque – xhamia e parë ekologjike në Britani – si dhe organizata e kompani të tjera të ujësjellësit.

Projekti pilot në Cambridge i inkurajoi myslimanët lokalë që për abdes para namazit të përdorin vetëm një litër ujë.

Sipas të dhënave të Ofwat, një qasje e tillë mund të kursejë deri në 55 litra ujë në ditë për person, pasi shumë njerëz mund të përdorin deri në 12 litra ujë të rrjedhshëm gjatë marrjes së abdesit pesë herë në ditë.

Është vlerësuar se projekti pilot në Cambridge mundësoi kursimin e deri në 5.900 litra ujë në ditë.

Programi rekomandoi gjithashtu përhapjen e gjerë të këtyre udhëzimeve përmes kanaleve televizive islame. Në të njëjtën kohë, u paralajmërua se kompanitë e ujësjellësit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se po fajësojnë myslimanët për konsum më të madh të ujit se grupet e tjera.

Në tekst gjithashtu thuhet se besohet se Profeti Muhamed përdorte jo më shumë se rreth një litër ujë për abdes.

Një iniciativë tjetër, e financuar me 270 mijë paund para publike, përfshiu kuzhinieren Ping Coombes, fituese e MasterChef në vitin 2014, e cila u tregoi komuniteteve aziatike se si të përdorin më pak ujë gjatë gatimit dhe larjes së orizit.

“Është praktikë e zakonshme që orizi të lahet pesë deri në shtatë herë, derisa uji të bëhet i pastër. Kjo më bëri të mendoj: a është vërtet e nevojshme ta lajmë orizin kaq shumë herë? Unë, në fakt, e laj orizin vetëm dy herë”, tha ajo në një video.

Kritikët pretendojnë se kompanitë e ujësjellësit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje rrjedhjeve në infrastrukturë sesa këshillimit të qytetarëve.

Mike Wood, ministër në hije për Cabinet Office, tha për The Telegraph: “Reduktimi i humbjeve të ujit është një qëllim fisnik, por problem më i madh është shpërdorimi i parave të taksapaguesve”.

Ofwat u përgjigj se projekti pilot nuk u tregonte njerëzve se çfarë duhej apo nuk duhej të bënin dhe se nuk ndërhynte në praktikat fetare.

Kategoritë
BotaLajme