Pavarësisht presionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Britania e Madhe sot e ka njohur Palestinën si shtet të pavarur. Starmer dhe ministrat në qeverinë e tij kanë konkluduar se situata në terren javët e fundit është përkeqësuar, prandaj janë vendosur për këtë hap.
“Sot, për të ringjallur shpresën në paqe për palestinezët dhe izraelitët, si dhe për zgjidhjen me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar formalisht njeh Shtetin e Palestinës”, tha Starmer.
Më pas, gjatë fjalimit të tij, ai i bëri thirrje Izraelit:
“Sërish i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të heqë kufizimet e papranueshme në kufi, të ndalojë këto taktika mizore dhe të mundësojë hyrjen e menjëhershme të ndihmave. Me veprimet e Hamasit dhe të qeverisë izraelite, të cilat e përshkallëzojnë konfliktin dhe përshpejtojnë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, shpresa për një zgjidhje me dy shtete po zbehet. Por nuk duhet të lejojmë që kjo dritë të shuhet”, tha ai.
Ministrat e qeverisë aktuale britanike theksojnë se kanë përgjegjësi morale të veprojnë, në mënyrë që të ruhet shpresa për një marrëveshje paqësore afatgjatë.
Ky hap ka hasur tashmë në kritika nga politikanë të lartë amerikanë.
Përveç tyre, reaguan edhe familjet e pengjeve izraelite duke pretenduar se njohja e shtetit palestinez do të pengojë lirimin e tyre.
Ndërkohë, Izraeli ka paralajmëruar goditje edhe më të fuqishme ushtarake mbi Gazën, duke njoftuar se nga sulmet do të përjashtohen vetëm spitalet – edhe pse shpesh edhe ato kanë qenë objektiv i ushtrisë izraelite.