Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina ranë dakord të shtunën se paqja në Gadishullin Korean është një përgjegjësi e përbashkët, tha ministri i jashtëm i Seulit në një takim të diplomatëve më të lartë të tri vendeve, ku u zotuan të promovojnë bashkëpunimin.
Bisedimet pasuan një takim të rrallë trilateral në maj në Seul, ku fqinjët – të ndarë nga mosmarrëveshjet historike dhe territoriale – ranë dakord të thellojnë lidhjet dhe ripohuan qëllimin për një Gadishull Korean pa armë bërthamore.
Megjithatë, takimi vjen në një kohë kur tarifat tregtare amerikane kërcënojnë rajonin dhe rritet shqetësimi për testimet e armëve nga Koreja e Veriut dhe vendosjen e trupave të saj për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Ripohuam se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean është interes dhe përgjegjësi e përbashkët e tri vendeve. Për më tepër, theksova se bashkëpunimi i paligjshëm ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut duhet të ndalet menjëherë,” tha ministri jugkorean Cho Tae-yul të shtunën.
Seuli dhe Tokio zakonisht mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Koresë së Veriut sesa Kina, e cila mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm dhe përkrahës ekonomikë të Penianit.
Ministri japonez i punëve të jashtme, Takeshi Iwaya, tha se ai, Cho dhe ministri kinez Wang Yi “shkëmbbyen me sinqeritet mendimet për bashkëpunimin trilateral dhe çështjet ndërkombëtare rajonale… dhe konfirmuan se do të promovojnë një bashkëpunim të orientuar drejt së ardhmes”.
“Situata ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe nuk është e tepruar të thuash se ndodhemi në një pikë kthese historike,” tha Iwaya në fillim të takimit të së shtunës.
Në këtë kontekst, është bërë më e rëndësishme se kurrë që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të kapërcehen ndarjet dhe konfliktet, tha ai.
Wang theksoi se këtë vit shënohet 80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe se “vetëm përmes reflektimit të sinqertë mbi historinë mund të ndërtojmë më mirë të ardhmen”.
Forcimi i bashkëpunimit do t’u mundësojë vendeve “t’u bëjnë ballë rreziqeve së bashku”, si dhe të promovojnë “kuptimin e ndërsjellë” mes popujve të tyre, shtoi ai.
Ukraina ishte gjithashtu në rend dite të shtunën, dhe Iwaya paralajmëroi se ndryshimi i njëanshëm i status quo-së me forcë është i papranueshëm kudo.
“Kur është fjala për situatën në Ukrainë, theksova nevojën që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar në qëndrimin se çdo përpjekje për ndryshim të njëanshëm të status quo-së me forcë nuk do të tolerohet askund në botë,” u tha ai gazetarëve.
Ndryshimet klimatike, plakja e popullsisë dhe tregtia ishin ndër temat kryesore për të cilat zyrtarët thanë se do të diskutonin të shtunën, si dhe bashkëpunimi në ndihmën për fatkeqësi, shkencë dhe teknologji.
Kina dhe, në masë më të vogël, Koreja e Jugut dhe Japonia janë prekur nga tarifat që ka vendosur presidenti amerikan Donald Trump javët e fundit, por asnjë nga ministrat nuk e adresoi drejtpërdrejt këtë çështje në deklaratat e tyre.
Iwaya tha se trioja “u pajtua të përshpejtojë koordinimin për samitin e ardhshëm” mes liderëve të vendeve.
Ministrat e jashtëm do të zhvillojnë gjithashtu bisedime bilaterale me kolegët e tyre të shtunën, ndërsa Japonia dhe Kina do të mbajnë “dialogun e tyre të parë ekonomik të nivelit të lartë” pas gjashtë vitesh.
Patricia M. Kim, bashkëpunëtore për politikën e jashtme në Institutin Brookings në Uashington, tha se ndonëse “dialogët trilateralë kanë vazhduar për më shumë se një dekadë”, kjo raund ka “rëndësi të shtuar” për shkak të qëndrimit të ri amerikan.
“Udhëheqësit e tyre janë nën një presion në rritje për të diversifikuar opsionet e tyre dhe për të kërkuar mundësi ekonomike alternative,” tha ajo për AFP.