Benzema do të humbasë Kupën e Botës për shkak të lëndimit

Federata Franceze e Futbollit tha se Benzema do të ketë nevojë për tri javë për t’u rikuperuar.

Ylli francez Karim Benzema nuk do të luajë në Kupën e Botës FIFA 2022 për shkak të një dëmtimi në kofshë, konfirmoi të shtunën Federata Franceze e Futbollit (FFF).

Federata tha se sulmuesi i Të Kaltërve mori lëndimin në kuadricepsin e majtë, gjë që e detyroi të tërhiqej nga turneu.

Benzema, 34 vjeç, i cili fitoi çmimin prestigjioz Topi i Artë në tetor pas një sezoni të shkëlqyer me Real Madridin, u largua nga seanca stërvitore të shtunën pasi ndjeu dhimbje në kofshë.

Më pas ai iu nënshtrua një skanimi MRI në një spital të Dohas.

FFF shtoi se Benzema do të ketë nevojë për tri javë për t’u rikuperuar.

Kjo do të thotë se ai nuk do të luajë për Francën në Botërorin që do të fillojë të dielën.

Antoine Griezmann, Olivier Giroud, Kylian Mbappe, Ousmane Dembele, Randal Kolo Muani, Kingsley Coman dhe Marcus Thuram do të formojnë repartin sulmues të Francës në Kupën e Botës.

Franca më parë ishte hendikepuar nga lëndimet e mesfushorëve rregullt Paul Pogba dhe N’Golo Kante, si dhe sulmuesi Christopher Nkunku.

Gjersa Pogba dhe Kante tashmë ishin të lënduar, Nkunku pësoi një lëndim në gju gjatë stërvitjes së kësaj jave me Francën.

Nkunku u zëvendësua nga Kolo Muani.

Në Katar 2022, kampioni në fuqi i botës, Franca, është në të njëjtin grup me Australinë, Danimarkën dhe Tunizinë.

Franca do ta luajë ndeshjen e parë më 22 nëntor kundër Australisë.

Kategoritë
Sport