Belgjika pretendon se disa deputetë janë paguar për të bërë “propagandë ruse”

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo pretendon se në Parlamentin Evropian (PE) kishte deputetë që paguheshin për të bërë “propagandë ruse”, transmeton Anadolu.

De Croo në seancën e mbajtur në Parlamentin belg për ndërhyrjet e vendeve të huaja, tha se kohët e fundit ka patur bashkëpunim të ngushtë mes shërbimeve inteligjente belge dhe çeke për shembjen e strukturës që ai e përcaktoi si “rrjet propagandistik i Rusisë”.

Ai nuk i zbuloi emrat e deputetëve në fjalë, por shpjegoi se “organizatat ruse iu afruan deputetëve dhe u dhanë stimuj financiarë atyre për të përhapur retorikë pro-ruse”.

“Për shembull, u zbulua që Rusia po iu afrohej deputetëve këtu për të promovuar propagandën ruse, por edhe duke i paguar (ata)”, tha De Croo.

Zëdhënësi i kryeministrit belg deklaroi për mediat se De Croo po i referohej vendimit të qeverisë çeke për të vendosur sanksione në faqen e lajmeve të “Zërit të Evropës”.

– De Croo për partinë e ekstremit të djathtë, Vlaams Belang: “Jeni bërë aleat i Rusisë”

Në të njëjtën seancë, De Croo akuzoi partinë e ekstremit të djathtë ‘Vlaams Belang’ në rajonin flaman të Belgjikës si aleate të Rusisë.

Duke iu drejtuar deputetëve të Vlaams Belang, De Croo tha: “Me këtë obsesion të verbër për të shkatërruar vendin tonë, ju jeni bërë aleat i Rusisë, e cila dëshiron të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar këtu, shoqërinë tonë të lirë dhe të begatë”.

Përfaqësuesit e partive të tjera kritikuan politikat e Vlaams Belang. Të Gjelbrit akuzuan partinë e ekstremit të djathtë për “tradhti kombëtare” dhe liberalët flamanë e akuzuan atë për “mbrojtje të interesave të kinezëve dhe rusëve”.

Në lajmet e publikuara në mediat belge, pretendohet se Filip Dewinter, një nga figurat kryesore të Vlaams Belang, kishte lidhje me agjentë kinezë.

– Çekia njoftoi se kishte ekspozuar një “rrjet propagandistik” të financuar nga Rusia

Shërbimi i Informacionit të Sigurisë Çeke (BIS) njoftoi dje se ishte ekspozuar një “rrjet propagandistik” me seli në Pragë dhe financuar nga Rusia.

Kryeministri çek, Petr Fiala tha se njësia çeke e inteligjencës kishte përcaktuar se faqja e lajmeve “Zëri i Evropës”, e financuar nga Rusia dhe me seli në Pragë, ishte e angazhuar në “aktivitete serioze kundër sigurisë së Bashkimit Evropian (BE) dhe vendit të tij”.

Fiala tha se faqja e lajmeve prodhonte përmbajtje që sugjeronte se BE-ja nuk duhet të ndihmojë ushtrinë ukrainase kundër Rusisë.

Pas këtyre zhvillimeve, Fiala njoftoi se në listën e sanksioneve u përfshinë faqja e lajmeve “Zëri i Evropës”, politikani dhe biznesmeni rus, Viktor Medvedchuk dhe politikani dhe producenti mediatik, Artyom Marchevsky.

Kategoritë
BotaLajme