Behramaj tha se ka dorëheqje nga Vetëvendosje, reagon Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka mohuar pretendimet e ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramajt, për dorëheqje nga Vetëvendosje. Behramaj ka shkruar sot se Muja pritet të dorëhiqet nga VV’ja, meqë siç pretendon Behramaj partia nuk e ka emëruar si anëtar të Bordit të Këshillit Shtetëror për Cilësi.

Armend Muja ka thënë se Behramaj e ka gabim, derisa ka potencuar se sa i përket Bordeve, VV dhe ai si deputet janë të përkushtuar për të mos emëruar njerëz të politikës.

“Adil Behramaj është gabim! Pikëpamja e tij për Bordet është e ndërtuar nga përvoja e tij politike në PDK! Deputetët nuk mund të jenë në Borde! VV dhe unë jemi të përkushtuar për Borde apartiake dhe kam besimin e plotë tek përzgjedhjet e Ministres Nagavci”, ka thënë ai për Express.

Pak më parë, Behramaj në një postim në “Facebook”, ka shrkuar se Armend Muja pritet të japë dorëheqje për shkak të mos emërimit të tij në Bordin e KShC-së.

“Shpërthejnë pakënaqësitë në Lëvizjen Vetëvendosje. Armend Muja pritet të japë dorëheqje, pasi që nuk qenka emëruar në Bordin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Pritjet më të mëdha se të ardhurat e deputetit!”, ka shkruar ai.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka votuar sot për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Katër anëtarët vendor të emëruar janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Seb Bytyçi dhe Krenare Pireva-Nuçi.

Teksa anëtarët ndërkombëtarë janë: Alison Felce, Cassie L. Bernhardt dhe Werner J. Stueber.

“Emërohen anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

“Me propozim të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, Qeveria e Republikës së Kosovës ka votuar sot 7 anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) apo bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), ku të njëjtit do të procedohen për ratifikim në Kuvend. Katër prej të emëruarve janë vendorë dhe tre ndërkombëtarë. Vendimi është marrë bazuar në rekomandimet e Komisionit për shqyrtimin e dokumentacionit të të nominuarve dhe vetënominuarve për anëtarë të KShC-së. MAShTI ka ndërmarrë të gjitha veprimet që procesi të jetë transparent”, thuhet në njoftim.

“Katër të emëruarit vendorë janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Seb Bytyçi dhe Krenare Pireva-Nuçi. Ndërkaq, tre anëtarët ndërkombëtarë, Alison Felce, Cassie L. Bernhardt dhe Werner J. Stueber janë emëruar në konsultim me partnerët ndërkombëtarë respektivisht me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Ambasadës Britanike dhe Ambasadës Austriake përkatësisht Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA)”, thuhet më tutje në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi