Në mbledhjen e fundit të kabinetit të sigurisë në Izrael ka ardhur deri te një përplasje e ashpër mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve më të lartë të sigurisë së vendit.
Përfaqësuesit e ushtrisë dhe shërbimeve të inteligjencës paralajmëruan se pushtimi i Gazës nuk do të sillte mposhtjen e Hamasit, por një luftë të gjatë e të përgjakshme, si dhe përkeqësim serioz të pozitës ndërkombëtare të Izraelit.
Të gjithë zyrtarët e sigurisë mbajtën një qëndrim të unifikuar – se në vend të ofensivës duhej synuar një marrëveshje e kufizuar për lirimin e pengjeve. Sipas vlerësimeve të tyre, një pushtim i Gazës mund të zgjasë deri në një vit, t’i kushtojë Izraelit shumë jetë njerëzish dhe të hapë rrugë për destabilizim shtesë në Bregun Perëndimor, shkruan Haaretz.
Edhe disa ministra nga partia e Netanyahut, Likud, shprehën dyshime për suksesin e operacionit ushtarak. Ministri i bashkëpunimit rajonal, David Amsalem, paralajmëroi se Rripi i Gazës mund të bëhet “Vietnami izraelit”, ndërsa ministri i jashtëm Gideon Sa’ar kujtoi se vazhdimi i luftës po dëmton seriozisht imazhin e Izraelit në botë.
Sa’ar theksoi edhe kontradiktën në qasjen e Netanyahut: ndërsa më herët Izraeli ishte i gatshëm për një marrëveshje të kufizuar, tani e kundërshton pikërisht në momentin kur Hamas shfaq gatishmëri për ta pranuar.
Netanyahu megjithatë mbetet i palëkundur në qasjen e tij të ashpër, duke nënvizuar se ka mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump – por vetëm nëse Izraeli “vepron shpejt”. Sipas tij, heqja dorë nga fitorja ushtarake do të nënkuptonte që Hamasi me pengjet të diktonte politikën izraelite.
Burime nga maja e sigurisë thonë se asnjëherë më parë nuk është planifikuar një operacion ushtarak që bie kaq hapur ndesh me qëndrimin e ushtrisë dhe të inteligjencës. Ata paralajmërojnë se rezultati përfundimtar mund të jetë vendosja e një administrate ushtarake në Gaza, për çka Izraeli nuk ka kapacitete.
Kjo debat ndodh në një moment kur bashkësia ndërkombëtare po intensifikon iniciativat për njohjen e shtetit palestinez, ndërsa në planin e brendshëm Netanyahu po përballet me rënie të mbështetjes dhe me zgjedhje parlamentare që po afrohen.