Bayraktarët po kthehen mbi qiellin ukrainas, me goditje precize u shkatërruan varkat zbarkuese të marinsave rusë

Forcat detare të Ukrainës kanë kryer sulme me dronë të prodhimit turk të tipit Bayraktar TB2 mbi marinsat rusë që tentuan të zbarkonin në pjesën veriore të Detit të Zi, në zonë të kontrolluar nga forcat ruse.

Forcat ruse që kontrollonin shkëmbin Tendrivska në pjesën veriore të Detit të Zi u shkatërruan nga një dron ukrainas TB2, i cili me dy bomba të drejtuara me lazer goditi dhe shkatërroi një varkë sulmuese, duke neutralizuar disa ushtarë rusë.

Sipas burimeve ukrainase, në sulm u vranë shtatë ushtarë rusë, ndërsa të paktën katër të tjerë u plagosën. Tendrivska është një brez i ngushtë toke pranë bregut jugor të Ukrainës, që është shndërruar në bazë të forcave ruse, të cilët e përdorin për mbikëqyrje dhe operacione në Detin e Zi.

Në këtë zonë ushtria ruse ka instaluar stacione radari dhe antena, me të cilat rrit rrezen e veprimit të dronëve gjatë sulmeve mbi Ukrainën. Zyrtarët ukrainas thanë se Moska ka vendosur atje stacione rele për të zgjeruar kapacitetin operativ të dronëve të saj zbulues dhe sulmues.

Interesant është fakti se janë rikthyer pamjet e sulmeve me Bayraktar TB2, të cilat për një periudhë të gjatë nuk shfaqeshin më.

Me forcimin e mbrojtjes kundërajrore ruse, por edhe me pengesat e fuqishme elektronike, ushtria ukrainase kishte humbur një numër të konsiderueshëm Bayraktarësh. Megjithatë, që nga qershori i këtij viti, përdorimi i tyre është intensifikuar përsëri.

Aktualisht, Bayraktarët po përdoren nga brigadat e këmbësorisë detare të Ukrainës në rajonin e Hersonit, ku goditjet e rregullta mbi stacionet radare dhe sistemet kundërajrore ruse kanë bërë të mundur riaktivizimin e këtyre dronëve.

 

Kategoritë
BotaLajme