“Bashkë për komunat”, “Ma mirë për komunën”, “Kosova përtej”, “Dritë për komunat”, sloganet e partive për zgjedhjet lokale

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të sivjetme do të fillojë sot dhe do të vazhdojë deri me datën e zgjedhjeve, më 12 tetor, siç ka vendosur Komisioni Qendror Zgjedhor.

Partitë politike kanë prezantuar edhe sloganet me të cilat do të synojnë t’i bindin qytetarët për zgjedhjet e 12 tetorit.

“Bashkë për komunat”, është slogani i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvedosje për këto lokalet e tetorit. PDK-ja ka zgjedhur sloganin “Ma mirë për komunën”, partia e Lumir Abdixhikut, LDK-ja sloganin “Kosova përtej”, kurse AAK-ja e Ramush Haradinajt sloganin “Dritë për komunat”, shkruan Reporteri.net.

Shumica e partive kanë paralajmëruar hapjen e fushatave sot në kryeqytet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e mbajti mbrëmë para se të nisë fushata zyrtarisht.

Partia e parë që e nis fushatën është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, në Prishtinë.

Pas AAK-së, nga ora 14:00, Nisma do të hapë fushatën për zgjedhjet lokale 2025 në Klan Arena, në Prishtinë.

Ndërsa, nga ora 18:00 fushatën zgjedhore e nis Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Dhe krejt në fund në sheshin “Skënderbeu”, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të nisë fushatën e saj në orën 19:00. /Reporteri.net/.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi