Avokati Ardian Bajraktari ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive nesër, më 14 shtator, nga ora 14:00, në Hagë, në mbështetje të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me sfidën e padrejtësisë në Gjykatën Speciale.
“Nesër, në orën 14:00, jemi në Hagë për të dëshmuar unitetin tonë, përkrahjen për çlirimtarët tanë dhe për betejën për drejtësi. Liria jonë nuk ka kuptim të plotë pa lirinë e tyre. Jemi me ta, në çdo hap, sepse kjo është betejë për të kaluarën tonë të ndritur, për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit tonë,” është shprehur avokati Bajraktari.
Ai shtoi se kjo përballje në Hagë nuk është vetëm juridike, por edhe morale e historike. “UÇK-ja nuk dënohet. Ajo ka qenë guerilja më e suksesshme e shekullit të kaluar dhe një aleate e pazëvendësueshme e NATO-s në luftën për çlirim. Kjo është një e vërtetë që nuk mund të mohohet.”
Bajraktari theksoi se bashkimi qytetar është më i rëndësishëm se kurrë: “Të jemi të bashkuar kundër padrejtësisë! Të tregojmë se historia nuk rishkruhet me akuza të padrejta, por me të vërtetën që e kemi jetuar dhe që e mbrojmë me dinjitet.”