Azemi paralajmëron protesta e grevë: Punëtorët s’po e shijojnë as minimumin e jetës, me këto paga po jetojmë sot për nesër

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic ka thënë se janë të pakënaqur me mungesën e rritjes së pagave për punëtorët e kategorive që ndikohen drejtpërdrejt nga fondet e Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendeve komunale, përfshirë punëtorët e QKUK-së, QMF-ve dhe shumë të tjerë që ofrojnë shërbime përmes kompanive private dhe financohen nga fondet publike.

Sipas tij, rritja prej 110 euro që është bërë në qershor për punëtorët e sektorit publik, duhet të zbatohet edhe për këta punëtorë, pasi ata paguhen nga i njëjti buxhet si punëtorët e sektorit publik.

“Deri më 1 shtator, i kemi lajmëruar se po presim të dialogojmë dhe të arrijmë një marrëveshje lidhur me rritjen e pagave për këta punëtorë, duke kërkuar një pagë bruto prej 600 eurosh. Deri më tani, me përjashtim të Komunës së Prishtinës me të cilën kemi caktuar takim nesër në ora 11:00, me të tjerët nuk kemi pasur ndonjë komunikim konkret. Besoj se edhe me Komunën e Prishtinës nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje e menjëhershme, ashtu si edhe me institucionet e tjera. Prandaj, më 9 shtator do të fillojmë me protesta dhe, në varësi të reflektimit të këtyre institucioneve, do të ndërmarrim veprime tona. Ndoshta, aty ku nuk ka reflektim, fundi i shtatorit na gjen në disa institucione dhe komuna me grevë dhe protesta”, tha ai.

Ai, lidhur me gjendjen aktuale të pagave përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve, u shpreh se pagat aktuale nuk mjaftojnë as për të mbijetuar.

“Nuk kërkon ndonjë mençuri të veçantë për ta shpjeguar se, me pagat që kemi, sidomos ato të punëtorëve që kryejnë shërbime në institucionet publike përmes kompanive private, nëse një punëtor merr 350 ose 370 euro, dhe kur ke parasysh se një pagë minimale duhet të mbulojë kërkesat e katër anëtarëve të familjes, kuptohet vetvetiu se kjo është e pamjaftueshme. Një llogari që kam bërë kohë më parë, sot tregon se, pa asnjë shpenzim tjetër, vetëm me dy bureka në ditë, nuk mbeten para për asgjë tjetër.”

“Një pjesë e madhe e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë nuk po e shijojnë as minimumin e jetës. Domethënë, jemi duke jetuar sot për nesër”, shtoi Azemi.

Sipas tij, pagat e ulëta janë një nga arsyet kryesore të ikjes së fuqisë punëtore nga vendi.

“Parashikimet që i kemi bërë para disa vitesh janë bërë realitet. Kemi dokumentacion të protokolluar, përmes të cilit kemi tërhequr vërejtjen si ndaj kësaj Qeverie, ashtu edhe ndaj asaj të mëhershme, se në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave, ajka e punëtorëve, pra fuqia më vitale do të largohet nga vendi, dhe kjo ndodhi. Mospërcjellja e kostos së jetesës dhe largimi i punëtorëve e kanë bërë të vetën. Ky shtet shumë shpejt do të mbetet me punëtorë të moshës 55-vjeçare.”

“Punëtorët nuk kanë siguri. Ata nuk punojnë vetëm për të ngrënë, ata kanë nevojë për një shtëpi të vetën, për familje, për garanci. Pjesa dërrmuese e tyre jo vetëm që nuk e kanë këtë luks, por madje iu mungojnë edhe barnat elementare”, përfundoi Azemi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi