Autoritetet serbe arrestojnë edhe një shtetas të Kosovës nën pretendimin për krime lufte

Autoritetet serbe kanë arrestuar edhe një shtetas të Kosovës nën pretendimin për krime lufte.

Bëhet fjalë për një 77 vjeçar, i cili është arrestuar në pikalimin kufitar në Merdarë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme  të Serbisë që ka publikuar njoftimin për arrestimin e tij, H.H. tashmë është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Ai dyshohet se ka vrarë një civil të kombësisë serbe me armë zjarri në qershor të vitit 1999 në Podujevë në bashkëpunim me disa anëtarë të “UÇK-së”. I dyshuari u urdhërua të mbahet në paraburgim deri në 48 orë, pas së cilës do të dërgohet në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte me një kallëzim penal”, pretendohet në njoftimin e ministrisë serbe.

Muajve të fundit disa shtetas të Kosovës janë arrestuar në Serbi nën pretendimet për krime lufte. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, disa herë u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër Serbi. /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeVendi