Zyra për media theksoi se 70 ditët e mbylljes së plotë të kalimeve kufitare nga Izraeli kanë përkeqësuar rrënimin e sistemeve humanitare dhe shëndetësore në Gaza
Qeveria e Gazës ka paralajmëruar se më shumë se 65 mijë fëmijë janë në rrezik të menjëhershëm nga uria për shkak të rrethimit të Izraelit dhe bllokadës 2-mujore të furnizimeve thelbësore për Rripin e Gazës si pjesë e fushatës izraelite gjenocidale ndaj enklavës palestineze, transmeton Anadolu.
“Pushtimi izraelit po organizon një uri që vret civilë dhe vazhdon një krim sistematik kundër 2.4 milionë njerëzve duke mbyllur kalimet dhe duke bllokuar 39 mijë kamionë ndihmash që transportojnë ushqim, karburant dhe ilaçe, në një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”, tha zyra për media e qeverisë në Gaza.
Zyra për media tha se të gjitha furrat e bukës nuk kanë qenë në funksion për 40 ditë, duke i privuar civilët nga buka.
“Më shumë se 65 mijë fëmijë tani përballen me vdekjen nga uria për shkak të kequshqyerjes, pasi Izraeli e përdor urinë si armë kundër civilëve”, theksoi zyra e qeverisë në Gaza.
Zyra për media theksoi se 70 ditët e mbylljes së plotë të kalimeve kufitare nga Izraeli kanë përkeqësuar rrënimin e sistemeve humanitare dhe shëndetësore në Gaza.
Ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara (OKB) të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar bllokadën, për të rihapur kalimet kufitare, si dhe për të lejuar rrjedhën e ndihmave dhe gjërave thelbësore në Gaza.
Thirrja vjen pasi zyrtarët e OKB-së kritikuan ashpër planin e ndihmës humanitare të propozuar së fundmi nga Izraeli për Gazën, duke paralajmëruar se ky plan mund të përkeqësojë vuajtjet e civilëve dhe të mos përmbushë standardet themelore humanitare.
Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet e Gazës për ndihmë ushqimore, mjekësore dhe humanitare që nga 2 marsi, duke e thelluar më tej krizën humanitare në enklavë.
Të paktën 52.800 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.