Në Mbretërinë e Bashkuar është arrestuar një burrë i lidhur me një sulm kibernetik që fundjavën e kaluar shkaktoi probleme me fluturimet në aeroportin Heathrow të Londrës dhe disa aeroporte të tjera evropiane. Agjencia Kombëtare për Luftimin e Krimit bëri të ditur se ka arrestuar një burrë në të dyzetat, në kuadër të hetimeve për incidentin që preku kompaninë Collins Aerospace, e cila ofron mbështetje teknologjike për regjistrimin e pasagjerëve për linjat ajrore.
Sipas Guardian, burri është liruar me kusht nën kaucion.
Incidenti kibernetik shkaktoi vonesa dhe anulime të fluturimeve në shumë aeroporte, ndërsa Brukseli ishte më i prekur.
Kompanitë ajrore që përdorin sistemin e Collins u detyruan të regjistronin pasagjerët manualisht. Ndërkohë që vetëm disa operacione në Heathrow u prekën drejtpërdrejt, rreth 20 fluturime u anuluan gjatë fundjavës dhe shumica e tyre patën vonesa.
Aeroportet në Berlin dhe Dublin raportuan gjithashtu vonesa për shkak të incidentit.