Ardian Ismajli po e finalizon transferimin te Torino

Mbrojtësi shqiptar Ardian Ismajli është shumë pranë përfundimit të marrëveshjes me klubin italian Torino.

Lojtari pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare, duke përmbyllur kalimin e tij si lojtar i lirë.

Ish-lojtari i Empolit e kishte dhënë aprovimin e tij që më 26 qershor, por klubi torinez kishte vendosur të vononte finalizimin për shkak të pasigurisë rreth të ardhmes së mbrojtësit aktual Saul Coco, i cili ka marrë një ofertë nga Al-Duhail në Katar.

Megjithatë, drejtuesit e Torinos nuk dëshironin të rrezikonin humbjen e Ismajlit në pritje të një vendimi nga Coco, dhe vendosën të përshpejtojnë transferimin.

Nënshkrimi i Ismajlit do t’i japë kohë të mjaftueshme Cocos për të vendosur mbi të ardhmen e tij, pa ndikuar në përforcimet e skuadrës.

Ismajli, 28 vjeç, është pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe ka përvojë të konsiderueshme në Serie A. Ai ka luajtur në Itali që nga viti 2020, fillimisht me Spezian dhe më pas me Empolin, ku u transferua për 2 milionë euro në verën e vitit 2021.

Gjatë qëndrimit të tij në elitën e futbollit italian, Ismajli ka grumbulluar 117 paraqitje, duke shënuar një gol dhe dhënë dy asiste.

Kategoritë
LajmeSport