Arabia Saudite kërkoi mbështetjen e Donald Trumpit para sulmit ndaj Huthëve në Jemen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman (MBS), mbështetje për një operacion ushtarak shumë të pazakontë kundër Huthëve të mbështetur nga Irani, kanë konfirmuar dy zyrtarë amerikanë, shkruan “Axios”.

Sulmi saudit ndaj aeroportit të Sanas të hënën, i cili u pasua nga sulme hakmarrëse me raketa nga Huthët, përbën përshkallëzimin më serioz ndërkufitar që nga viti 2022. Ky zhvillim mund të jetë shenjë e shpërbërjes së armëpushimit joformal katërvjeçar mes dy palëve.

Rifillimi i konfliktit ushtarak mes Arabisë Saudite dhe Huthëve mund t’i rrisë edhe më tej tensionet rajonale dhe ta zgjerojë konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Fakti që Mohammed bin Salman e njoftoi paraprakisht Trumpin dhe kërkoi mbështetjen e tij, tregon se Arabia Saudite druhet nga një konflikt më i gjerë me Huthët, i cili mund të kërkojë ndihmë ushtarake dhe diplomatike amerikane.

Javën e kaluar, Arabia Saudite e njoftoi SHBA-në se ishte e shqetësuar për zhvillimet dhe kërkoi mbështetje për sulme të mundshme ndaj Huthëve.

Të enjten, ambasadori saudit në Uashington u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Një ditë më vonë, Rubio zhvilloi një bisedë me ministrin saudit të Punëve të Jashtme, princin Faisal bin Farhan.

Menjëherë pas kësaj, të premten, presidenti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me princin saudit të kurorës, tha një zyrtar amerikan. Sipas tij, Mohammed bin Salman kërkoi mbështetjen e Trumpit për një operacion ushtarak kundër Huthëve dhe e mori atë.

I pyetur për koment, Shtëpia e Bardhë iu referua deklaratës së Trumpit në një intervistë për “Fox News”, e transmetuar të hënën në mëngjes, në të cilën ai e kritikoi ashpër Iranin.

Ambasada saudite në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Konflikti mes Arabisë Saudite dhe Huthëve nisi dhjetë ditë më parë, kur një avion i kompanisë iraniane “Mahan Air” u ul në qytetin e Sanas, i cili kontrollohet nga Huthët. Avioni mori një delegacion të udhëheqësve të këtij grupi, e cila udhëtoi për të marrë pjesë në funeralin e ish-udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.

Ky ishte një zhvillim i rrallë. Fluturimet nga Irani drejt Sanas nuk ishin realizuar për më shumë se dhjetë vjet, pasi Arabia Saudite i kishte bllokuar nga frika se mund të përdoreshin për dërgimin e armëve ose të këshilltarëve ushtarakë iranianë te Huthët.

“‘Mahan Air’ është kompani ajrore e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, IRGC. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur atë subjekt nën sanksione”, tha një zyrtar amerikan.

Huthët pretendojnë se avionët luftarakë sauditë u përpoqën pa sukses ta pengonin uljen e avionit. Ata kërcënuan se do t’i sulmonin aeroportet saudite nëse një gjë e tillë përsëritej.

Të hënën, ndërsa avioni iranian me delegacionin e Huthëve po kthehej nga Irani, ushtria saudite bombardoi aeroportin e Sanas. Për këtë arsye, avioni u detyrua ta ndryshonte itinerarin dhe të ulej në Al Hudaydah, në bregdetin e Detit të Kuq.

Një zyrtar amerikan pretendon se avioni po transportonte armë, pjesë raketash dhe ekspertë ushtarakë të destinuar për Huthët.

Pas kësaj, Huthët lëshuan raketa balistike dhe dronë drejt aeroportit Abha, në jugperëndim të Arabisë Saudite. Ata gjithashtu paralajmëruan kompanitë ajrore që të mos e përdornin hapësirën ajrore saudite derisa të hiqej bllokada ndaj aeroportit të Sanas.

Kategoritë
BotaLajme