Në një deklaratë të përbashkët të Arabisë Saudite dhe Francës thuhet se përfundimi i luftës në Gaza dhe sigurimi i lirimit të të gjithë pengjeve është prioriteti i tyre absolut, duke theksuar se çdo formë aneksimi është “vijë e kuqe” – një paralajmërim i qartë për Izraelin që të mos reagojë pas njohjes së Palestinës nga shumë shtete.
“Situata në Gaza vazhdon të përkeqësohet me intensifikimin e ofensivës tokësore izraelite në qytetin e Gazës, ndërsa civilët dhe pengjet po paguajnë një çmim të pajustifikueshëm për luftën që është në zhvillim”, thuhet në deklaratë, e publikuar pas një takimi të nivelit të lartë në Kombet e Bashkuara me synimin për të forcuar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete.
Takimi demonstroi mbështetje të madhe ndërkombëtare për kauzën palestineze dhe izolimin e paparë në të cilin ndodhet Izraeli më pak se dy vite pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 pengje.
“Tani është koha që komuniteti ndërkombëtar të kalojë nga fjalët në vepra”, thuhet në deklaratë, duke përshëndetur njohjen e shtetit palestinez ditëve të fundit nga shumë vende.
Arabia Saudite dhe Franca bënë thirrje për një armëpushim të përhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve, shkëmbim të të burgosurve dhe shpërndarje të pakufizuar të ndihmës humanitare në të gjithë Gazën, si dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Shtetet u zotuan gjithashtu të mbështesin një “mision të përkohshëm ndërkombëtar stabilizues me ftesë të Autoritetit Palestinez” dhe të rrisin angazhimet e tyre për trajnimin e forcave të sigurisë palestineze.
“Ne theksojmë rëndësinë e bashkimit të Rripit të Gazës me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez”, theksohet në deklaratë.
“Në kontekstin e përfundimit të luftës në Gaza, përsërisim se Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Gaza, të çarmatoset dhe të dorëzojë armët e tij tek Autoriteti Palestinez, me angazhimin dhe mbështetjen ndërkombëtare, në përputhje me synimin për një shtet palestinez sovran”, shtohet më tej.
Në deklaratë gjithashtu “u bëhet thirrje udhëheqësve izraelitë që të shfrytëzojnë këtë mundësi për paqe dhe të shpallin publikisht angazhimin e tyre të qartë për zgjidhjen me dy shtete”, si dhe të ndalojnë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve dhe dhunën e kolonëve.
“Ne përsërisim se çdo formë aneksimi është një vijë e kuqe për komunitetin ndërkombëtar që sjell pasoja serioze dhe përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për marrëveshjet ekzistuese dhe të ardhshme të paqes”, thuhet në deklaratë.
Në konferencë, Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta, San Marino dhe Andorra lëshuan deklarata për njohjen e shtetit palestinez. Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Portugalia e bënë këtë një ditë më parë.
Si SHBA, ashtu edhe Izraeli pretendojnë se njohja e shtetit palestinez në këtë moment përbën një shpërblim për Hamasin që nuk do të përparojë përpjekjet për lirimin e 48 pengjeve të mbetur dhe përfundimin e luftës në Gaza, por përkundrazi mund t’i dëmtojë ato.