Amerika vazhdon me armatosjen e Izraelit: Po u shet 30 helikopterë sulmues dhe mbi 3.000 mjete të blinduara

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump në ditët e ardhshme pret miratimin e Kongresit për shitjen e pajisjeve ushtarake dhe armatimit Izraelit në vlerë prej 6,4 miliardë dollarësh, duke përfshirë helikopterë sulmues dhe transporterë të blinduar.

Paketa e planifikuar e furnizimit përfshin një kontratë me vlerë 3,8 miliardë dollarë për 30 helikopterë sulmues AH-64 Apache dhe 1,9 miliardë dollarë për 3.250 mjete të blinduara për ushtrinë izraelite. Kësaj shume i shtohen edhe 750 milionë dollarë për pjesë rezervë.

Izraeli ishte një nga përdoruesit e parë të huaj të helikopterëve Apache, pasi mori helikopterët AH-64A në vitin 1990, të cilët më vonë i modernizoi në modele AH-64D në fillim të viteve 2000. Varianti “Saraf”, që është aktualisht në përdorim, ka një numër nën-sisteme të modifikuara nga kompanitë izraelite.

Edhe pse tipet e sakta të mjeteve të blinduara që po blen Izraeli nuk janë bërë publike, burime nga industria e mbrojtjes sugjerojnë se me shumë gjasë bëhet fjalë për një kombinim të mjeteve MRAP dhe transporterëve të blinduar me rrota.

Nga ana tjetër, të enjten një grup senatorësh amerikanë paraqitën rezolutën e parë në Senat me të cilën bëhet thirrje për njohjen e shtetit palestinez, ndërsa më shumë se gjysma e demokratëve në Senat kohët e fundit votuan kundër shitjes së mëtejshme të armëve.

Kategoritë
BotaLajme