Më 5 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme izraelite nisi një hetim për krime si abuzimi ndaj grave dhe ngacmimet seksuale që dyshohet se janë kryer në ambasadën izraelite në Rabat
Ambasadori i Izraelit në Rabat, David Govrin, mohoi akuzat kundër tij për “ngacmim seksual dhe korrupsion”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Govrin në llogarinë e tij në Twitter tha: “Pas akuzave dhe shpifjeve të pabaza që mediat kanë publikuar për mua, dua ta bëj të qartë se këto thashetheme të pabaza dhe mashtruese për ngacmime seksuale nga palët që kanë përfitime janë krejtësisht të rreme”.
Duke theksuar se akuzat kundër tij janë “shpifje të sajuara për ta shënjestruar atë personalisht dhe për të dëmtuar marrëdhëniet e tij me autoritetet në Mbretërinë e Marokut”, diplomati izraelit tha se ai “nuk do ta lejojë këtë”.
Izraeli tërhoqi ambasadorin e tij
Më 5 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme izraelite nisi një hetim për krime si abuzimi ndaj grave dhe ngacmimet seksuale që dyshohet se janë kryer në ambasadën në Rabat.
Sipas një lajmi të Korporatës Publike Transmetuese Izraelite (KAN), Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit i kanë ardhur ankesa ndaj ambasadorit David Govrin se janë kryer krime të abuzimit të grave, ngacmimeve seksuale dhe korrupsionit.
Ministria dërgoi menjëherë një delegacion të nivelit të lartë të ministrisë në Marok dhe thirri Govrin-in përsëri në Izrael për të hetuar akuzat kundër tij.
Gjithashtu KAN, në lajmet e saj, ka njoftuar se qeveria e Tel Avivit ishte rreth një vit në dijeni të akuzave për ngacmime seksuale ndaj grave marokene për ambasadorin Govrin.
Normalizimi i marrëdhënieve Marok-Izrael
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 10 dhjetor 2020 njoftoi se vendi i tij njeh sovranitetin e Marokut mbi rajonin e Saharasë Perëndimore dhe se një konsullatë e SHBA-së do të hapej në qytetin rajonal Dahla.
Në të njëjtën ditë, qeveria e Rabatit vendosi të rifillojë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, të cilat i pezulloi në vitin 2000. Me këtë vendim, Maroku u bë vendi i katërt arab që arriti një marrëveshje normalizimi me Izraelin, pas Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahreinit dhe Sudanit.