Kina gjatë dy dekadave të fundit ka ndërtuar marinën më të madhe në botë dhe i ka shndërruar kantierët e saj detarë në gjigantë globalë. Sot më shumë se 60% e porosive botërore për anije shkojnë në kantierët kinezë, ndërsa flota luftarake e Pekinit ka më shumë mjete lundruese sesa marina amerikane.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo shpejtësi e jashtëzakonshme e prodhimit mund të ndryshojë ekuilibrin strategjik të forcave në dete dhe të rrezikojë dominimin afatgjatë të SHBA-së.
Ndërsa pensionistët në parkun Suoyuwan në Dalian këndojnë karaoke për fuqinë e Partisë Komuniste, pas tyre ngrihen siluetat e kantierëve më të mëdhenj të botës. Pikërisht aty, në verilindje të Kinës, po lind një fuqi detare që po shqetëson gjithnjë e më shumë Perëndimin, shkruan BBC.
Në dy dekadat e fundit, Kina ka investuar shuma gjigante në industrinë e anijeve, gjë që ka bërë që sot mbi 60% e porosive globale të shkojnë në kantierët kinezë. Ekspertët thonë se kapaciteti i Kinës për ndërtimin e anijeve është 200 herë më i madh se ai amerikan.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Kina aktualisht ka 234 anije luftarake, më shumë se marina amerikane me 219. Edhe pse SHBA ende ka epërsi teknologjike dhe më shumë aeroplanmbajtëse, hendeku mes dy fuqive po zvogëlohet me shpejtësi.
“Shkalla e ndërtimit të anijeve nga Kina është tronditëse. Shpejtësia me të cilën ata prodhojnë anije luftarake mund të sjellë ndryshim strategjik,” vlerëson Alexander Palmer nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Kina po modernizon me shpejtësi marinën e saj, duke ndërtuar baza të reja në Hainan dhe duke zhvilluar nëndetëse të afta për të mbajtur raketa bërthamore. Po ashtu paralajmërohet prezantimi i sistemeve të reja nëndetëse pa pilot, që mund të gjurmojnë nëndetëset armike dhe kabllot nënujore.
Presidenti Xi Jinping thekson se një marinë e fuqishme është thelbësore për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe shpesh kujton “periudhat poshtëruese të pushtimeve të huaja” në shekujt XIX–XX. Politika e ashtuquajtur “fuzion ushtarako-civil” i mundëson Kinës të përdorë të njëjtat kapacitete si për anijet tregtare, ashtu edhe për ato ushtarake, gjë që e përshpejton edhe më shumë procesin.
Edhe pse Kina ende ka kufizime – vetëm dy aeroplanmbajtëse dhe më pak nëndetëse se SHBA – ekspertët paralajmërojnë se shpejtësia e progresit të saj nuk duhet nënvlerësuar. Pentagonit i frikësohet se, në rast të një konflikti të gjatë, aftësia e Kinës për të ndërtuar shpejt mjete të reja lundruese mund të jetë vendimtare.
Pyetja që më së shumti shqetëson Uashingtonin është: Sa larg nga brigjet e saj Kina mund dhe do të veprojë? Manovrat ushtarake pranë Japonisë dhe Australisë tregojnë se Pekini po del gjithnjë e më guximshëm në detet e hapura.
SHBA tashmë ka nisur iniciativa për të ringjallur industrinë e saj të ndërtimit të anijeve, ndërsa presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të rikthyer epërsinë detare amerikane. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo do të jetë një “detyrë shumë e vështirë” duke marrë parasysh përparësinë që Kina tashmë ka siguruar.