Agjentët federalë kanë çmontuar një rrjet pajisjesh në zonën e New Yorkut që përdorej për kërcënime ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe mbante shenja të përfshirjes së huaj, sipas një deklarate të Shërbimit Sekret të SHBA-së. Zbulimi ndodhi para fjalimit të Donald Trumpit në OKB.
Agjentët kanë zbuluar më shumë se 300 servera për karta SIM dhe 100.000 karta SIM në disa lokacione brenda një rrezeje prej rreth 50 kilometrash nga New Yorku, sipas deklaratës të martën. Shërbimi sekret reagoi shpejt duke marrë parasysh se çdo sulm i mundshëm mund të trondiste rëndë qytetin në një kohë kur liderët botërorë po mblidheshin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Shërbimi nuk ka identifikuar zyrtarët e rrezikuar, natyrën e kërcënimit apo shtetet që mund të jenë përfshirë. Ata theksuan se nuk e kanë akuzuar publikisht asnjë shtet, pjesërisht për shkak të ndjeshmërisë që ka ky samit i kësaj jave.
“Potenciali për prishjen e telekomunikimeve të vendit tonë që përfaqëson ky rrjet pajisjesh nuk mund të theksohet mjaftueshëm,” tha drejtori i Shërbimit Sekret, Sean Curran.
Ai shtoi se hetimi “u dërgon një mesazh të qartë aktorëve keqdashës se çdo kërcënim i menjëhershëm ndaj personave që mbrojmë do të hetohet menjëherë, do të gjendet dhe do të eliminohet.”
Aktorët keqdashës që përdorin ferma SIM-ash dhe dhjetëra mijëra kartela mund të dërgojnë kërcënime anonime dhe të kryejnë sulme si çaktivizimi i antenave bazë apo mbingarkimi i rrjeteve të komunikimit.
Nuk është e qartë nëse rrjeti lidhet me një sërë incidentesh më herët këtë vit, ku aktorë të panjohur ishin paraqitur si shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe sekretari i shtetit Marco Rubio.
Gjatë verës, në një notë të Departamentit të Shtetit u tha se një person i panjohur kishte lënë mesazhe zanore dhe tekstuale për të paktën pesë persona, përfshirë “tre ministra të jashtëm, një guvernator amerikan dhe një kongresist amerikan”, pasi kishte krijuar një llogari në Signal në mesin e qershorit duke u shtirur si Rubio.
Britania tashmë ka ndërmarrë hapa për kufizimin e fermave SIM. Në prill, Ministria e Brendshme shpalli ndalimin e posedimit ose furnizimit të fermave SIM pa arsye legjitime, duke përmendur rolin e tyre në fushata “smishingu” që paraqiteshin si shërbime postare apo banka.