Dy ditë pasi mbi hapësirën ajrore të Estonisë u kapën avionë luftarakë rusë, një rast i ri sot ka alarmuar NATO-n. Një avion zbulues rus ka fluturuar mbi Detin Baltik, gjë që ka çuar në reagimin e Forcave Ajrore të Gjermanisë.
Avioni, i cili fillimisht nuk mundi të identifikohej, po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa plan fluturimi ose kontakt radio, bëri të ditur Forca Ajrore. Eurofighterët gjermanë u ngritën nga baza ajrore Rostock-Laage.
Të dhënat e mëvonshme treguan se bëhej fjalë për një avion zbulues rus Il-20M, i cili u identifikua me të ashtuquajturën identifikim vizual, sipas njoftimit të Forcave Ajrore.
Eurofighterët gjermanë e shoqëruan avionin deri në momentin kur partnerët e NATO-s nga Suedia morën përsipër këtë detyrë.
Situata në rajonin e Detit Baltik së fundmi është bërë edhe më e tensionuar për shkak të shkeljeve ruse të hapësirës ajrore.
Më herët, ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, deklaroi se shkeljet ruse të hapësirës ajrore të vendeve të NATO-s janë pjesë e një përshkallëzimi më të gjerë, si rajonal ashtu edhe global.
“Sjellja e Rusisë kërkon një përgjigje ndërkombëtare”, theksuan estonezët.