Akuzat në Itali, Agron Tare: Gënjeshtra të pastra! Shënjestra është Igli, mediet jo profesionale

Igli Tare dhe vëllai i tij, Agron Tare gjatë javëve të fundit kanë qenë në shënjestër të medieve italiane në lidhje me një çështje, të mbyllur nga hetuesit italianë që në vitin 2018, kur të dy vëllezërit dolën të pastër dhe hetuesit i nxorën jashtë orbitës së çështjeve. Report, emision në Rai 3 e riktheu sërish këtë çështje, duke përsëritur faktet e dikurshme.

Igli Tare dhe Agron Tare akuzohen se kanë qenë aksionerë të kompanisë Top Bast dhe kanë krijuar lidhje me mafian italiane të Ndragheta dhe Sacra Corona Unita. Në investigim është shtuar edhe çështja Muriqi, për të cilin thuhet se i janë dhënë para disa agjentëve, jo të përfshirë direkt në këtë lëvizje, mes tyre edhe Shkumbin Qormemeti, shok i Tares.

Gjithashtu, thuhet se në këtë lëvizje ka ndihmuar për të përfituar edhe Agroni, i cili ka folur së fundmi për mediet italiane në lidhje me këtë çështje. Ai përgënjeshtron gjithçka, tregon gjithë dëmet e shkaktuara ndaj tij në këtë çështje dhe shton se është larguar si konsull në Turqi që në vitin 2018 dhe nuk kishte si merrte pjesë në transferimin e Muriqit. Ai shton se do marrë masa ligjore ndaj medieve të përfshira.

INVESTIGIMI – “Gjithçka është gënjeshtër. Nuk kam pasur asnjëherë, në asnjë mënyrë aksione në kompani bastesh. As marrëdhënie me njerëz të lidhur me qarqe kriminale, as nuk jam hetuar ndonjëherë nga prokuroria e Barit. Ajo që kanë thënë gazetarët nuk është vetëm fyese për mua, por është gjithashtu absurde dhe e rreme, saqë përjashton ekzistencën e ndonjë mirëbesimi a besnikërie.

E vetmja gjë që duhej, ishte të bënin disa kontrolle të vogla, të diktuara kryesisht nga mendja e shëndoshë përpara rregullave të gazetarisë. Nëse ato nuk janë kryer, atëherë dikush është i prirur të mendojë se e gjithë gjëja është e trilluar.

IGLI SHËNJESTRA KRYESORE – Vëllai im, Igli mban pozicionin e drejtorit sportiv të klubit të Lazios dhe ai është motivi për këtë fushatë shpifjesh. Është e qartë se ka palë të treta që kanë interes ta godasin atë. Ndoshta jam gabim, por siç thoshte një nga të urtët tuaj të mëdhenj në politikë, është gabim të mendosh në mënyrë të gabuar, por shpesh është mënyra e duhur.

DËMET NDAJ AGRON TARES NË KËTË AFERË – Jam shumë i zhgënjyer dhe i zemëruar që një televizion publik (Rai) mund të shqetësojë jetën e njerëzve në TV drejtpërdrejt, duke përcjellë informacione të rreme dhe tepër të shpifura për dëgjuesit. Për më shumë se një vit e gjysmë unë kam mbuluar pozicionin e Zëvendës Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe nga emisioni ‘Report’ unë jam prezantuar si konsull në Turqi i implikuar në një marrëveshje të merkatos së futbollit në vitin 2020. Është fakt i qartë dhe i lehtë për t’u verifikuar.

Shumë njerëz më kanë pyetur si kanë qenë gjërat, kolegë që përhapin thashetheme pas shpinës time. Dhe në punë, gjithashtu, detyrimi për të shpjeguar çështjen për kontaktet e mia të qeverisë nuk është diçka e këndshme. Kam përjetuar shqetësim të madh dhe kam vuajtur prej kësaj çështje. Sidoqoftë, dëmi i vërtetë iu bë familjes sime. Të shohësh dhimbjen në sytë e prindërve dhe vajzës sime të vogël është vuajtja më e madhe.

Dinjiteti në vendin nga unë vij është i rëndësishëm dhe nëse të fyhet si rezultat i një skeme shpifje të orkestruar mirë, dhimbja dhe zemërimi është i madh. Ata nxituan të hidhnin baltë mbi mua dhe vëllain tim, duke e bërë veten bashkëpunëtorë të një fushate të vërtetë shpifëse mediatike. Mbi të gjitha, unë synoj të ndërmarr masa ligjore kundër menaxhmentit të RAI sepse e konsideroj të papranueshme, që një anëtar i qeverisë së një vendi tjetër mund të lyhet kaq lehtë, pa pasur ndonjë kontroll mbi punën e punonjësve të tij.

REGJISTRIMET ME GAZETARIN – Faktet datojnë që nga viti 2014 dhe 2015. Është një sulm ndaj vëllait tim brenda botës së Lazios, si drejtor sportiv. Ky djalë që është një gazetar, Fabrizio Gerolla, punoi për një kompani, që kërkoi shërbimet tona si një kompani ligjore. Ne bëmë konsulencën tonë dhe gjithçka u mbyll atje. Prokuroria Publike e Barit heton Sacra Corona Unita dhe në dosje ka edhe këto përgjime, në të cilat Gerolla flet me mua dhe më kërkon këshilla. Kaq është.

SHËNJESTRAT E LA REPUBBLICA – Gjëja e çuditshme është se La Repubblica bëri një pjesë në të cilën flet vetëm për Tarën, kishte edhe avokatë të tjerë dhe njerëz të njohur të përfshirë. Nga sa di unë, La Repubblica është gjithashtu e interesuar të shenjëstrojë presidentin e Lazios (Claudio Lotito).

AKUZAT PËR TRANSFERIMIN E MURIQIT – Ata e bëjnë lidhjen midis meje dhe Muriqit, por çfarë lidhje ka kjo me mua? Unë nuk jam më konsull shqiptar në Turqi, që nga fundi i vitit 2018, Muriqi arriti vitin e kaluar. I penduari i rremë, që tregon gjëra gjatë transmetimit është një aktor.

Mes dy qeverive ne jemi në marrëdhënie shumë të mira dhe nuk dua të jem një rast përçarës. RAI duhet të ketë një përgjegjësi objektive për gazetarët që punëson, unë jam pro lirisë së shtypit, por e gjithë kjo është bërë me një motiv. Nuk është se gazetari bëri një gabim dhe solli gabimisht faktet në transmetimin e tij”, tregon Tare. /abcnews.al

Kategoritë
Sport