Një gjyqtar i imigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka urdhëruar që aktivisti propalestinez dhe studenti i Universitetit Columbia, Mahmoud Khalil, të deportohet në Algjeri ose Siri.
Khalil vitin e kaluar kishte luajtur një rol udhëheqës në protestat kundër luftës izraelite në Gaza në universitetin prestigjioz Columbia.
Vendimi u mor më 12 shtator, dhe thuhet se Khalil nuk kishte zbuluar informacione kyçe kur kishte aplikuar dhe siguruar lejen e qëndrimit të përhershëm në SHBA.
Khalil, me origjinë nga Siria dhe shtetas algjerian me prejardhje palestineze, më herët kishte paralajmëruar se i trembet mundësisë të bëhet shënjestër e Izraelit për shkak të aktivizmit të tij nëse do të deportohet në cilëndo prej këtyre vendeve.
Nuk e mbron karta e gjelbër
Gjykata tha se Khalil, në aplikimin për green card, nuk kishte zbuluar lidhjet e tij me Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) dhe me grupin aktivist Columbia Apartheid Divestn, i cili angazhohet për bojkot ekonomik ndaj Izraelit, duke e përshkruar këtë si “mungesë sinqeriteti” nga ana e aplikuesit.
Avokatët e Khalilit kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin, por kanë theksuar se mendojnë që përpjekja e tyre do të jetë e pasuksesshme dhe se Khalil në fund do të deportohet.
Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, disa herë e ka paraqitur aktivizmin e Khalilit si antisemitizëm dhe mbështetje për Hamasin.
Khalil gjithashtu e ka akuzuar administratën e Trumpit se po përdor “taktika fashiste” për t’i hakmarrë atij për “shfrytëzimin e lirisë së fjalës”.
“Kur përpjekja e tyre e parë për të më deportuar dështoi, ata iu drejtuan shpikjes së akuzave të pabazuara dhe qesharake në një përpjekje për të më heshtur sepse ngrita zërin dhe qëndrova fort për Palestinën, duke kërkuar ndaljen e gjenocidit në Gaza,” tha Khalil.