Aktivistë pro-palestinezë hyjnë në ndërtesën e ZDF-it në Berlin: Brohoritje, fletushka dhe zë fëmijësh nga altoparlanti

Një grup aktivistësh pro-palestinezë ka hyrë të premten në mëngjes në ndërtesën e televizionit publik gjerman ZDF në qendër të Berlinit, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të punës në redaksi.

Sipas mediave gjermane, të paktën 15 persona arritën të futen në godinë përmes një prej hyrjeve anësore të studios. Ata pushtuan hollin kryesor, ku brohoritën slogane pro-palestineze dhe lëshuan një altoparlant të vogël të varur me balona heliumi, nga i cili dëgjoheshin ulërima fëmijësh — tinguj që nuk mundën të ndaleshin për disa minuta, pavarësisht përpjekjeve të stafit teknik.

Stafi i sigurisë së ZDF-it njoftoi menjëherë policinë e Berlinit, e cila mbërriti në vendngjarje me disa patrulla dhe largoi aktivistët nga ndërtesa. Kundër tyre është hapur procedim ligjor për “shkelje të paprekshmërisë së pronës”.

Jashtë ndërtesës ndodhej një grup tjetër prej rreth 12 demonstruesish, të cilët shpërndanin fletushka me mbishkrimin “Edhe Gaza është faji juaj”. Në anën tjetër të fletushkave, ata akuzonin politikanët dhe mediat publike gjermane se, përmes “gënjeshtrave, propagandës dhe censurës”, po krijojnë konsensus për krime lufte.

Sipas postimeve në rrjetet sociale, kjo aksion ishte reagim ndaj një njoftimi të ZDF-it nga fundi i tetorit, kur televizioni kishte bërë të ditur se një punonjës i kompanisë së tyre partnere në Gaza ishte anëtar i Hamasit dhe se kishte humbur jetën në një sulm izraelit, në bazë të dokumenteve të paraqitura nga Izraeli. Si pasojë, ZDF kishte ndërprerë menjëherë bashkëpunimin me atë kompani.

Pasi u nxorën nga godina, aktivistët njoftuan se do të vazhdojnë protestën në rrugë, përpara selisë së ZDF-it në Berlin, duke kërkuar “transparencë mediatike dhe fundin e narrativës pro-luftës në Gaza”.

Kategoritë
BotaLajme