Aksion në Ujman: Ibër-Lepenci largon objektet e ndërtuara në pronat e ndërmarrjes

Aksioni, sipas mediave lokale ka nisur në orën 7:30 të mëngjesit, ndërsa atë e kanë konfirmuar edhe autoritetet përkatëse.

Me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonat përreth Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion për rrënimin e disa objekteve të ndërtuara në pronat e ndërmarrjes së Ibër-Lepencit.

Aksioni, sipas mediave lokale ka nisur në orën 7:30 të mëngjesit, ndërsa atë e kanë konfirmuar edhe autoritetet përkatëse.

Kryeshfi ekzekutiv i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka konfirmuar aksionin, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për rrënimin e 11 shtëpive në pronën e kësaj ndërmarrje në liqenin e Ujmanit.

“Inspektorati i Ministrisë së Ambientit është duke e zhvilluar këtë aksion”, tha ai.

Mujka bëri me dije se 11 personave që kishin ndërtuar shtëpi në pronën e Ibër Lepencit u ishte kërkuar qysh më 3 korrik të heqin të gjitha gjërat që kanë në këto objekte dhe t’i lirojnë ato deri më 17 korrik.

“Ata nuk e kanë bërë këtë gjë, kështu që ne kemi lajmëruar inspektoratin dhe ata kanë shkuar sot për të kryer punë”, tha Mujka i cili shtoi se fillimisht autoritetet do t’i largojnë të gjitha gjërat nga shtëpitë dhe pastaj do t’i rrënojnë ato.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar se policia është duke asistuar në këtë aksion.

Kategoritë
LajmeVendi