Një dron ukrainas ka realizuar një operacion unik shpëtimi, duke kaluar 64 kilometra për të evakuuar një ushtar të rëndë i plagosur që kishte mbijetuar 33 ditë në territor të pushtuar nga forcat ruse, njoftoi Batalioni i Parë Mjekësor i Pavarur i Ukrainës.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, shpëtimi u arrit vetëm në përpjekjen e shtatë, pasi gjashtë dronë të tjerë ishin shkatërruar nga forcat ruse gjatë tentativave të mëparshme.
“Përpjekja e shtatë ishte e suksesshme. Ushtari i plagosur rëndë u evakuua nga një zonë nën kontrollin e armikut,” thuhet në postimin e batalionit në platformën X.
Droni përshkoi 64 kilometra gjithsej, prej të cilave 37 kilometra me rrotë të dëmtuar, pasi gjatë rrugës kishte hasur në një minë antipersonale. Megjithatë, sipas batalionit, pajisja vazhdoi lëvizjen dhe përfundoi misionin.
Pas ngarkimit të ushtarit, droni u godit nga një dron rus, por falë kapsulës së blinduar, ushtari nuk pësoi lëndime të reja. Ai u transportua në zonë të sigurt, ku iu ofrua ndihma e nevojshme mjekësore dhe aktualisht ndodhet në fazën e dytë të trajtimit, me jetë jashtë rrezikut, konfirmoi batalioni.
Ende nuk dihet vendndodhja e saktë ku ndodhej ushtari dhe kur është zhvilluar operacioni.
Ky nuk është rasti i parë i një operacioni të tillë. Në gusht, sipas raportimit të BBC, një dron tokësor ukrainas kishte dërguar një biçikletë elektrike te një ushtar i plagosur, i cili më pas kishte arritur të largohej nga territori i pushtuar falë mjetit të dërguar nga droni.










