AKB-ja: Të pasurit po ikin, ndërsa të varfrit po shtohen

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, duke paralajmëruar për një krizë të thellë që po e zbraz Kosovën çdo ditë.

Sipas AKB-së, mijëra qytetarë po largohen, të humbur mes zhgënjimit dhe mungesës së shpresës. “Bizneset vendore po mbyllen njëra pas tjetrës, duke lënë pas papunësi dhe rritje të varfërisë. Pabarazia sociale po thellohet: të pasurit po ikin me kapitalin e tyre, ndërsa të varfrit po shtohen”, thuhet në reagimin e AKB-së.

AKB-ja ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk po arrin të mbrojë as ekonominë, as bizneset, as qytetarët. Politikat e saj jo vetëm që nuk po sjellin zhvillim, por po e mbajnë vendin në pasiguri dhe stagnim.

“Është koha që Qeveria të japë llogari për këtë situatë dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme për të mbështetur bizneset vendore, për të ndalur eksodin e qytetarëve dhe për të krijuar kushte të denja që populli të jetojë e të punojë në vendin e tij”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi