Eksperti financiar, Kushtrim Ajvazi ka bërë një analizë të në bazë të cilës thotë se rritja e çmimit të energjisë nuk është pasojë e konsumi të brendshëm, por nga rënia e prodhimit nga KEK.
“Rritja e çmimit të energjisë nuk vjen nga rritja e konsumit, por nga rënia e prodhimit nga KEK! Të dhënat zyrtare të bilancit të energjisë tregojnë qartë: Prodhimi i KEK-ut ka rënë për -57% në periudhën Prill–Korrik 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importi i energjisë është rritur për +46%, sepse mungesat nga KEK-u janë mbuluar me energji të blerë jashtë vendit. Konsumi i amvisërisë është rritur vetëm për +6%, një shifër e arsyeshme që nuk e justifikon vetë rritjen e çmimeve. Prandaj, çdo rritje e çmimit të energjisë për qytetarët nuk është pasojë e konsumit të brendshëm, por e faktit se KEK-u ka prodhuar shumë më pak, ndërsa kjo energji është zëvendësuar me importe më të shtrenjta, të cilat duhet t’i paguajë dikush – dhe në fund, barra i bie qytetarëve dhe bizneseve”, ka shkruar Ajvazi në “facebook”.
Më tej ai shkruan se “Rritja e çmimit është e pashmangshme, përderisa kemi rënie drastike të prodhimit vendor dhe varësi të lartë nga importet. Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën: faturat po rriten jo pse kanë konsumuar më shumë, por sepse politikat energjetike dhe KEK-u nuk ka arritur të sigurojnë prodhim stabil e të mjaftueshëm”.