“Ai nuk do të harrohet kurrë” – fjalët prekëse të trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot pas vdekjes së Diogo Jotas

Liverpooli të enjten mbrëma publikoi një deklaratë të trajnerit Arne Slot në lidhje me vdekjen e papritur të sulmuesit të tyre të shquar, Diogo Jota.

Jota ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, duke lënë një boshllëk të madh në skuadrën kampione të Anglisë.

Në fjalimin e tij, trajneri Slot shprehu dhimbjen e thellë dhe tronditjen e madhe që ka ndjerë.

“Çka të them? Çfarë mund të thotë dikush në një kohë si kjo, kur tronditja dhe dhimbja është kaq e madhe? Do të doja të kisha fjalët, por e di që nuk i kam. E tëra që kam janë ndjenja që e di se shumë njerëz do t’i ndajnë për një person dhe një lojtar që e deshëm shumë dhe një familje për të cilën kujdesemi shumë. Mendimet e mia nuk janë ato të një trajneri. Ajo janë të një babai, një vëlla, një xhaxhai dhe i përkasin familjes së Diogos dhe Andre Silvas, që përjetoi një humbje kaq të paimagjinueshme”, shkroi trajneri holandez.

Ai shtoi se familja e Jotës nuk do të jetë kurrë vetëm në këtë rrugëtim të vështirë.

“Për ne si klub ndjenja e tronditjes është absolute. Diogo nuk ishte vetëm lojtari ynë. Ai ishte një i dashur për të gjithë ne. Ishte një shok skuadre, koleg, shok pune dhe në të gjitha rolet ai ishte shumë i veçantë”, shkruhet në letrën e Slot.

Slot theksoi se Jota kishte cilësitë që duhet të ketë çdo lojtar i Liverpoolit, duke vlerësuar personalitetin e tij të veçantë.

“Diogo nuk kërkoi popullaritet, por e gjeti atë. Ishte dikush që i bëri të tjerët të ndiheshin mirë me veten. Një person që kujdesej shumë për familjen e tij. Në shumë mënyra ishte një verë ëndrrash për Diogon dhe familjen e tij, gjë që e bën edhe më zemërthyes që mbaroi kështu”.

Ai përmendi edhe momentin e veçantë kur mësoi këngën e tifozëve për Jotën, duke e cilësuar atë si dëshmi e lidhjes së veçantë që kishte me klubin dhe tifozët.

“Kur të vijë koha e duhur do të festojmë Diogo Jotan, do të kujtojmë golat e tij dhe do të këndojmë këngën e tij. Për momentin do ta kujtojmë atë si një qenie njerëzore unike dhe do të vajtojmë humbjen e tij. Ai nuk do të harrohet kurrë. Emri i tij është Diogo”, përfundon deklarata e Slotit, e publikuar zyrtarisht nga Liverpooli.

Kategoritë
LajmeSport