Presidenti i përkohshëm i Republikës Arabe të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, premtoi përgjegjësi dhe një hetim pas vrasjes së civilëve alavitë, e cila shkaktoi reagime ndërkombëtare kundër dhunës më të rëndë që nga rrëzimi i Bashar al-Asadit.
Sipas një bilanci të fundit, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se 973 civilë alavitë janë vrarë në “ekzekutime” të kryera nga personeli i sigurisë ose luftëtarë proqeveritarë në provincat bregdetare të Latakisë dhe Tartusit që nga 6 marsi.
“Numri total i civilëve të martirizuar të ekzekutuar është 973, përfshirë gra dhe fëmijë”, thuhet në raport.
Rajoni mesdhetar është qendra e komunitetit pakicë alavit, të cilit i përket Asadi, ish-sundimtari i rrëzuar.
Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, deklaroi se vrasjet “duhet të ndalen menjëherë”, ndërsa Liga Arabe, Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe qeveri të tjera dënuan dhunën.
“Ne do të mbajmë përgjegjës, me vendosmëri dhe pa tolerancë, këdo që është përfshirë në gjakderdhjen e civilëve… ose që ka tejkaluar autoritetin e shtetit,” tha presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, në një video të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Më herët të dielën, presidenca njoftoi në Telegram se ishte krijuar një “komision i pavarur” për “hetimin e shkeljeve ndaj civilëve dhe identifikimin e përgjegjësve për to”, të cilët do të përballen me gjykatat.
Luftimet mes forcave të reja të sigurisë dhe besnikëve të ish-qeverisë shpërthyen të enjten, pas tensioneve të mëparshme, dhe u përshkallëzuan në masakra masive, sipas raportimeve.
Në përleshje kanë humbur jetën 231 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 250 luftëtarë pro-Asadit, sipas Observatorit, duke e çuar numrin total të të vdekurve në 1311.
Në një fjalim tjetër nga një xhami në Damask, Sharaa bëri thirrje për unitet kombëtar.
“Me ndihmën e Zotit, do të mund të jetojmë së bashku në këtë vend”, tha ai.
Imazhet në rrjetet sociale tregojnë forcat siriane të sigurisë në kamionë dhe automjete të tjera, duke kaluar pranë reve të dendura të tymit të zi mbi rrugën që çon drejt qytetit Jableh, midis Latakisë dhe Tartusit.
Ministria e Brendshme njoftoi të dielën se forcat qeveritare po kryejnë “operacione pastrimi” në rajonin e Tartusit për të “ndjekur mbetjet e regjimit të rrëzuar”.
SANA citoi një burim nga Ministria e Mbrojtjes që raportoi për përleshje në fshatin Tanita, në të njëjtin rajon.
Një fotograf i AFP-së në Lataki raportoi për një konvoj ushtarak që hyri në lagje për të kontrolluar shtëpitë.
Në Baniyas, një qytet më në jug, banori Samir Haidar (67) i tha AFP-së se dy vëllezërit e tij dhe nipi i tij u vranë nga grupe të armatosura që hynë në shtëpitë e njerëzve, duke shtuar se mes tyre kishte edhe “të huaj”.
“Ata i mblodhën të gjithë burrat në çati dhe hapën zjarr mbi ta”, tha Haidari.
Masakrat ndodhën pas përleshjeve që u shkaktuan nga arrestimi i një të dyshuari të kërkuar në një fshat kryesisht alavit, sipas Observatorit, i cili raportoi për një “rikthim të pjesshëm të qetësisë” në zonën bregdetare të shtunën.