Administrata e presidentit Donald Trump ka deklaruar se është “shumë e shqetësuar” për vendimin e fondit norvegjez të pasurisë shtetërore për t’u tërhequr nga kompania amerikane e pajisjeve ndërtimore Caterpillar, për arsye etike të lidhura me luftën e Izraelit në Gazë.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për vendimin e fondit norvegjez të pasurisë shtetërore, i cili duket se bazohet në pretendime të paligjshme kundër Caterpillar-it dhe qeverisë izraelite. Po bashkëpunojmë drejtpërdrejt me qeverinë norvegjeze për këtë çështje,” tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas agjencisë Reuters.
Në fund të gushtit, fondi norvegjez i pasurisë, me vlerë 2 trilionë dollarë – më i madhi në botë – njoftoi se është tërhequr nga pesë grupe bankare izraelite, si dhe nga Caterpillar Inc., për arsye etike.
Pesë bankat u përjashtuan “për shkak të rrezikut të papranueshëm se kompanitë kontribuojnë në shkelje serioze të të drejtave të individëve në situata lufte dhe konflikti,” thuhet në deklaratën e fondit.
Gjithashtu, në deklaratë theksohet se autoritetet izraelite përdorin produktet e Caterpillar-it, si buldozerët, “për kryerjen e shkeljeve të gjera dhe sistematike të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, siç është “shkatërrimi i paligjshëm masiv i pronës palestineze”.