A mund t’i bëjë ballë NATO kërcënimit gjithnjë në rritje nga dronët rusë?

Pyetja kryesore në Evropë nuk është vetëm nëse Moska qëllimisht ka dërguar dronë në hapësirën ajrore të NATO-s, por edhe çfarë tregon reagimi ushtarak për aftësinë afatgjatë të aleancës për t’u përballur me këtë kërcënim në rritje. Nëse kjo ka qenë, siç beson Polonia, një test i qëllimshëm i mbrojtjes së NATO-s, për Rusinë ishte një eksperiment jashtëzakonisht i lirë, thuhet në një analizë të CNN-it.

Autoritetet polake kanë gjetur fragmente të dronëve Gerber, të bërë nga kompensata dhe stiropor, që shpesh përdoren si karrem. Shërbimi i inteligjencës ukrainase vlerëson se prodhimi i tyre kushton rreth 10.000 dollarë për njësi.

Asimetria e kostos

Ndërkohë, avionët e NATO-s që u ngritën për t’i shmangur ishin luftarakë F-16 dhe F-35, me vlerë miliona dollarë. Një demonstrim efektiv force, por që me gjasë kushtoi dhjetëra mijëra dollarë vetëm për karburant dhe mirëmbajtje.

“Asimetria e kostos nuk funksionon,” tha për CNN Robert Tollast, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

Ai shtoi se nuk është se NATO nuk mund të përballet me sulme masive të dronëve. NATO ka qenë shumë efikase në parandalimin e një sulmi masiv iranian me raketa dhe dronë ndaj Izraelit në prill të këtij viti. Por, sipas Tollast, kostoja e një mbrojtjeje të tillë – që Izraeli e vlerëson mbi një miliard dollarë – e bën këtë qasje të paqëndrueshme.

“Problemi themelor është se, para Ukrainës, shumë teknologji mbrojtëse perëndimore thjesht nuk e kishin parasysh këtë kërcënim asimetrik nga dronët,” tha ai.

Megjithatë, konsensusi në sektorin gjithnjë e më të madh të teknologjisë ushtarake është se shumë njerëz e kishin parashikuar këtë, por shumë ministri të mbrojtjes së NATO-s po përshtaten tepër ngadalë.

Praktika të vjetruara

Ekspertët theksojnë se problemet lidhen me faktin se sistemet e prokurimit të NATO-s “ende janë të mbërthyera në vitet ’80”.

Shembull është interceptori i mesëm i kompanisë MARSS, i pajisur me inteligjencë artificiale dhe i dizajnuar për përdorim të përsëritur, me kornizë titani, i përshkruar si “në thelb një thikë që pret me shpejtësi dronët që afrohen”.

“Lufta në Ukrainë ka krijuar efektivisht një proces prokurimi me dy shpejtësi në Evropë,” thotë Siete Hamminga, drejtor ekzekutiv i kompanisë Robin Radar Systems me seli në Holandë.

Teknologjia e Robin Radar tashmë përdoret gjerësisht në Ukrainë dhe është përditësuar së fundmi për të zbuluar dronët Shahed nga një distancë prej 12 kilometrash.

Që nga viti 2022, qeveria britanike ka blerë dronët e vëzhgimit AR3 të kësaj kompanie me vlerë mbi 350 milionë dollarë për t’i dërguar në Ukrainë. Më herët këtë vit, RAF njoftoi se do të adoptojë AR3 për sistemin e ri të luftës elektronike, StormShroud, me plane të menjëhershme për rritjen e prodhimit.

Gara e armatimit

Edhe Departamenti i ri i Luftës i SHBA-së tashmë po garon për prodhimin e dronëve dhe antidronëve.

Në një memorandum të korrikut, ministri i Luftës Pete Hegseth paralajmëroi se njësitë amerikane nuk janë të pajisura me dronë të vegjël vdekjeprurës, që kërkohen nga fushëbeteja moderne.

Ai paraqiti masa për të hequr burokracinë dhe shmangien e rrezikut në prokurimin e dronëve, duke përfshirë “delegimin e autoritetit për blerjen dhe menaxhimin e dronëve nga burokratët tek luftëtarët tanë”.

Një nga mësimet kryesore që nxirren nga Ukraina është thjesht nevoja për të eksperimentuar.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës ukrainase të korrikut, Rusia aktualisht prodhon 5.500 dronë në muaj në fabrikën e saj në Tatarstan, përfshirë dronin e përditësuar Geran dhe variantin më të lirë Gerber.

Këtë muaj, për herë të parë, Rusia ka lëshuar mbi 800 dronë në një natë mbi Ukrainë.

Morten Brandtzaeg, drejtor ekzekutiv i prodhuesit norvegjez të municioneve dhe raketave Nammo, tha për CNN një ditë pas hyrjes së dronëve rusë në Poloni se kompania e tij po punon për “sasi më të mëdha raketash të lira” për të “përshtatur koston e raketës me objektivin që rrëzojmë”.

Nammo, një nga prodhuesit më të mëdhenj të municioneve në Evropë, tashmë është transformuar përmes armatosjes së shpejtë të kontinentit.

Ai e ka rritur prodhimin e municionit artilerik nga vetëm disa mijëra predha në vit para pushtimit rus në Ukrainë, në rreth 80.000 predha vitin e kaluar.

Kompania gjithashtu prodhon motorë raketash me karburant të ngurtë, të cilët përdoren për lëshimin e raketave ajër–ajër, komponentë kyç për sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore.

Kategoritë
BotaLajme